Asnjëherë nuk ësh të e lehtë të ringri hesh pas një humbjeje, por në Kukës e kanë hedhur pas shpine transfertën e Durrësit dhe tani janë të fokusuar tërësisht te përballja me Partizanin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Rrahman Hallaçi tregon se është i bindur se në skuadër ka lojtarë me karakter të fortë, që do të dinë të dalin nga situata.

“Kuptohet që kur vjen nga një humbje është pak e vështirë të fillosh ditën e parë të stërvitjes, por mendoj se skuadra e ka lënë atë humbje pas krahëve. Tashmë jemi të përqendruar totalisht te përballja me Partizanin. Dihet që humbjet janë të rënda gjithmonë, por lojtarët që kanë ego dhe karakter të fortë dinë si të dalin nga këto situata. Unë si trajner jam munduar të bëj më të mirën për skuadrën, si në seancat stërvitore, ashtu edhe me lojtarë të veçantë, duke diskutuar çdo ditë për çdo detaj”, u shpreh fillimisht tekniku i verilindorëve.

OBJEKTIVI – Pavarësisht se skuadrat vijnë me një disnivel pikësh në këtë përballje, për Hallaçin nuk ka asnjë objektiv tjetër veç fitores. Sipas tij, një fitore ndaj të kuqve do t’i shërbejë shumë edhe për vazhdimësinë. “Jo, barazimi nuk do të më pëlqente në këtë ndeshje. Kemi punën tonë dhe duam të marrim maksimumin ndaj Partizanit, e cila do të na vlejë shumë edhe për vazhdimësinë”, vijoi më tej numri një i pankinës blu.

ECURIA – Tekniku mbylli një fazë të plotë nën drejtimin e Kukësit, ku mendon se skuadra ka ndryshuar dhe ka bërë përmirësime, por për momentin është thjesht pak e rënduar në aspektin psikologjik.

“Skuadra ka ndryshuar shumë, si për shembull në fazën mbrojtëse, ku mendoj se skuadra është në lartësinë e duhur. I kam bindur të gjithë se në momentin që topin e ka kundërshtari, të gjithë duhet të mbrojnë. Kemi përmirësuar shumë dhe disa gjëra në fazën sulmuese, po mbajmë topin dhe e qarkullojmë mirë. Skuadra shkon me shumë forca në sulm dhe mesfushorët e qendrës kanë kuptuar që unë kërkoj mbështetje sa më shumë në zonën e kundërshtarit.

Mendoj që skuadra është pak e rënduar vetëm në aspektin psikologjik. Të gjithë kemi gabuar nga pak, por nga gabimet kemi nxjerrë shumë mësime. E kam marrë skuadrën në vendin e fundit dhe mendoj se diçka të mirë kemi bërë, skuadra ka besim në vetvete dhe ka shumë grintë gjatë lojës. Megjithatë, kemi ende shumë gjëra për të përmirësuar.

Me pikët nuk jam shumë i kënaqur, ndërsa për lojën që prodhon skuadra, po. Të vjen keq që me këtë kontingjent lojtarësh ne jemi në këtë vend, për momentin kuptohet, pasi ne do të bëjmë ndryshim me patjetër. Kemi marrë një sfidë të fortë dhe shumë të rëndësishme, nuk do të dorëzohemi deri në fund”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, tekniku i Kukësit.