Trajneri i Kukësit, Rraman Hallaçi, e cilëson të gabuar vendimin për të dhënë penalltinë që shkaktoi humbjen e skuadrës së tij me shifrat 2-1 përballë Tiranës.

“Nuk na vjen mirë kur merr një gol në fundin e ndeshjes, pasi gjatë gjithë kohës mendoj se skuadra ishte në ekuilibër dhe e kontrolloi lojën. Mund të kishim disa vështirësi, por është normale se janë situata loje. Në pjesën e parë u afruam disa herë të porta, skuadra markoi mirë. Më pas pjesa e dytë mendoj se ishte më e mirë, duke parë që kundërshtari shkoi pak më në thellësi në mbrojtje morëm në kontroll lojën, rrezikuam seriozisht portën e kundërshtarit. Për momentin penalltinë e kam parë vetëm me telefon dhe nuk bindem, është për të ardhur keq.

Vetëm po të heqim supin, që nuk hiqet se jemi njerëz. Nuk e di çfarë të flas, po nuk e di pse u dha penallti. Nëse topi ka prekur dorën jam dakord. Është e pamundur të heqim supin, është e pamundur të kërcesh me dorën ngjitur se kemi luajtur edhe ne futboll, të paktën me atë që kam parë unë. Më vjen keq, mendoj se nuk është penallti, skuadra djersiti për një pikë dhe ishim afër fitores. Por duhet të qetësohemi e përqendrohemi, e dimë se çfarë vështirësie po kalon ekipi, duhet të gjejmë forca të ngremë skuadrën se kampionati ka ardhur në një fazë mjaft kritike.

Sot ishim përgatitur për të marrë rezultat pozitiv. Çdo pikë që na ikën do ta ndjejmë më pas se do të jemi në vështirësi dhe duhet ta rikuperojmë. Lojë e mirë, por nuk mjafton, edhe më parë kemi luajtur mirë e marrë rezultatet. Por tani duhet të tregohemi dinak, se po ikën pikët, fundi i kampionatit do të jetë i tmerrshëm. Duhet forcë të qetësojmë skuadrën, ekipi ishte i mërzitur, fola me Barbozën dhe më vjen keq që jepet ai 11 metërsh, nuk mundet që lojtari të mbajë duart mbrapa e të kërcejë. Pjesën e supit ku ta çojmë, nuk hiqet, është e pamundur ta heqim nga trupi.

Bojkoti i ekipit për rrogat? E kam parë që është shkruar që nuk ka dalë në stërvitje por ne kemi bërë dy seanca në palestër, kemi kombinuar me vrap në Liqenin Artificial dhe na ka shërbyer. Ndoshta ndokush ka ardhur te fusha dhe nuk na kanë parë, ka qenë keqkuptim. Kemi bërë seanca që kombinuam me vrapime në natyre dhe ka qenë keqkuptim.

Po nuk shënove, rreziku do jetë se edhe Tirana pretendon për titull dhe normalisht nga momenti në moment do afrohen te porta. Ne nuk i shfrytëzuam momentet që kishim për avantazhin, erdhi momenti i 11 metërshit, nuk dua të flas më për atë pjesë, nuk ishte për mua,. Ç’është e vërteta ekipi bëri një lojë të mirë, jam i kënaqur për mënyrën se si u luajtur kjo lojë. Mendoj se u bë mjaft mirë puna, edhe në mbrojtje skuadra ishte e mobilizuar për t’ia dalë, Tirana fazën sulmuese e ka shumë cilësore. Këtë ndeshje e mori historia dhe duhet të jemi të kujdesshëm se vjen ndeshja tjetër”, tha hallaçi për “Oversport” pas sfidës.