Ecuria e Vllaznisë këtë periudhë ka qenë me shumë ulje-ngritje, dështuan të rivalizonin Tiranën për titullin kampion, por janë ende në garë për dy objektiva, të sigurojnë vendin e tretë në kampionat, por mbi të gjitha të fitojnë finalen e Kupës së Shqipërisë.
Në momentin kur Elvis Plori u ul në krye të stolit të Vllaznisë, titulli ishte një mision i pamundur, ndërsa dy objektivat e tjerë vijojnë të jenë në fuqi. Shkodranët ndodhen aktualisht në vendin e pestë në kampionat me 42 pikë, ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë është e gjitha për t’u luajtur, kundër Laçit, me dy ekipet që zbresin në fushë si të barabarta.
Rrahman Hallaçi, ish-futbollist i Vllaznisë shprehet se tashmë loja e shkodranëve po çalon pak, ndërsa theksoi se edhe trajnerit Plori i duhet kohë për të futur stilin e tij të lojës.
Sipas Hallaçit, Vllaznia ka probleme edhe në fazën sulmuese, teksa sipas tij mungon freskia para porte. Ai mendon se Vllaznia do ta ketë të vështirë për të arritur vendin e tretë, megjithatë mbetet për t’u parë deri në javën e fundit të kampionatit se çfarë do të ndodhë.
“Sivjet, Vllaznia me Brdariç e filloi mirë, por kuptohet pati një rënie. Nuk e kuptova pse ndodhi ajo rënie e Vllaznisë. Kemi parë edhe lojën e bukur që bënte vazhdimisht, por tashmë ka çaluar pak.
Kuptohet tashmë që ka ardhur edhe Plori dhe normalisht i duhet edhe Plorit kohë për të futur stilin e tij të lojës, sepse kuptohet ai nuk mund të vazhdojë me të njëjtin stil siç ka qenë Brdariç, por mendoj që Vllaznia bën mirë, por ndoshta në fazën sulmuese më pas, ka pak probleme.
Lojtarët i ka cilësorë, por nuk shikoj që janë të freskët para porte. Mendoj se Vllaznia do ta ketë të vështirë për të arritur vendin e tretë”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Rrahman Hallaçi.
Maringlen ZHIVANI