Sa herë që luhet Vllaznia-Tirana, Hamdi Salihi e ka të pamundur t’i shmanget “skenës”. Ai e ka mbyllur me futbollin e luajtur, por duke qenë se ka luajtur me të dyja dhe ka lënë gjurmë në këto klube, pa dyshim që ka shumë për të thënë. “Kur luan Vllanzia me Tiranën fillon edhe kampionati i vërtetë…”, është batuta e shkodranit para se të nisë intervistën për “Panorama Sport”. Ish-bomberi i Kombëtares ka edhe një mesazh për të dyja klubet dhe një parashikim modest për kryendeshjen e kësaj jave.
Salihi, rikthehet Vllaznia-Tirana…
Më në fund. Jam i lumtur jo vetëm që sportdashësit do të mund të rishohin këtë duel të madh të kampionatit shqiptar, por edhe për faktin që të dyja e kanë nisur me këmbë të mbarë sezonin. I kam parë ndeshjet e tyre dhe më kanë pëlqyer. Natyrisht, nuk shkëlqenin, por sinjalet ishin shpresëdhënëse.
Ç’do të thotë kjo ndeshje për ju?
Është një ndeshje që ia shton vlerën kampionatit. Janë dy klube të mëdha, të cilat edhe në ditë të vështira, i japin bukuri garës futbollistike. Kam vënë re, ndryshe nga disa herë të tjera vitet e fundit, që ka një ndjeshmëri më të madhe të njerëzve në Shkodër për këtë ndeshje. Më vjen mirë. Shqipëria nuk e ka luksin që të humbë një duel Vllaznia-Tirana. Kanë cilësi, ambicie, rivalitet dhe një histori të madhe mbi supe.
Si do ta përkufizonit këtë ndeshje?
Të domosdoshme. Kjo po që është një ndeshje e domosdoshme… Ndoshta jo gjithnjë prodhon spektakël, apo emocione të forta për 90 minuta, por pa një sfidë si kjo, kampionati humbet shumë.
Pse?
Sepse sado të luhet futboll në javët e para, njerëzit e kuptojnë se ka nisur seriozisht kampionati vetëm kur luhet Vllaznia-Tirana.







