Hamdi Salihi është një nga lojtarët që ka kontribuar për skuadrën përfaqësuese të Shqipëri. Sulmuesi shkodran po luan në Austri, megjithatë asnjëherë s’e humbet vëmendjen nga futbolli ynë. 

Sot, para sfidës së kuqezinjve kundër Andorës, ai është rikthyer të japë mendimin e tij për gjithçka që ka ndodhur në kombëtaren tonë këto ditë, në një intervistë për newsport.al.

Nga shkarkimi i Panuçi, trajneri i ardhshëm dhe rezultati i sfidës mes kuqezinjve dhe Andorës, Salihi i thotë të gjitha. Në fund jep edhe një mesazh të qartë për presidentin Armand Duka. 

– Hamdi, jeni një nga lojtarët që keni luajtur 50 ndeshje me fanelën e Kombëtares. I keni ndjekur zhvillimet rreth kuqezinjve?


Sigurisht, i kam ndjekur të gjitha. S’humb asgjë, për më tepër për Kombëtaren.

– Si e komenton largimin e Panuccit nga stoli i kombëtares?

Mendoj se ishte koha e duhur për të ndryshuar diçka tek ekipi, duke qenë se ishim në një situatë jo të mirë. Kësisoj është trajneri ai që merr përgjegjësinë më të madhe. Besoj se ishte e natyrshme edhe kjo lëvizje që ndodhi. 

– 15 ndeshje, 9 humbje. A ishte i vonuar shkarkimi i tij?


Siç e thashë më lart, erdhi kur duhej. 

– Sipas këndvështrimit tënd, çfarë nuk shkoi me italianin?


Unë nuk jam i mendimit që Panuçi ishte një trajner i keq apo i paaftë. Por, ndryshimet që ai u mundua të fuste në ekip, nuk shkuan si duhet dhe si rrjedhojë i kësaj erdhën pastaj rezultatet që për pritshmërit që tashmë Shqipëria ka arrit, ishin të papranueshme për ne. 

– Tashmë vendin e tij, përkohësisht e ka zënë një ish-shok i juaji i skuadrës, Ervin Bulku. A është i duhuri mesfushori kryeqytetas për të qenë në krye të një përfaqësueseje?


Bulku është njeriu që ka qenë më afër kombëtares gjatë gjithë kësaj periudhe dhe mendoj se ishte zgjedhja më e drejtë.

E përgëzoj edhe presidentin Duka që ka pasur guximin t’ia besojë ekipin edhe pse është i ri në këtë profesion. Jam shumë i bindur se Bulku do të arrijë t’ia dalë me shumë sukses kësaj detyre. 

– Shumë emra janë lakuar për drejtuar Shqipërinë. Ndër ta veçojmë Besnik Hasin, Lorik Canën dhe Gianni de Biasin. Cilin do të zgjidhnit prej tyre?


Jam i mendimit që cilido që të jetë trajneri i ardhshëm, do t’i duhet një kohë e caktuar për ta ringritur skuadrën ashtu si duhet. Prandaj, më shumë se emri i trajnerit, duhet që në fillim i gjithë opinioni të ndërgjegjësohet dhe ta mbështesë ekipin ashtu si duhet sepse në fund të fundit Kombëtarja është krenaria e të gjithëve. 

– Tek shohim lojën e tanishme të kombëtares, duket se jemi kthyer shumë vite pas. Çfarë mendon se është zgjedhur gabim?


Loja për mendimin tim nuk ka qenë shumë e keqe, por ndonjëherë në futboll nevojitet dhe fati. Nëqoftëse do të kishim arritur të shënonim ne të parët si me Turqinë, ashtu edhe në Izrael, besoj se tani do të kishim të tjera rezultate pasi rastet i kemi pasur. 

– Sot, përballemi me Andorën. Parashikimi juaj? 


Jam i bindur që djemtë do ta fitojnë ndeshjen. Edhe pse e di që sfida dhe kundërshtari janë shumë më të vështirë se sa opinioni i mendon. 

– Një mesazh për president Dukën para caktimit të trajnerit të ri të Kombëtares?


Presidentit i them vetëm të marrë kohën që duhet për të zgjedhur trajnerin dhe mos të ngutet pavarësisht që koha deri në ndeshjet e radhës është e shkurtër. /newsport/