
Pas një periudhe të shkurtër pushimi D. C. Junajtid ka nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Në fushën stërvitore “George Mason University”, sipas medieve amerikane binte në sy mungesa e Hamdi Salihit. Sipas “Thë Ëashington Post” mungesa e sulmuesit shqiptar mund të kuptohet si një ndarje e mundshme mes të dyja palëve. Ndërkohë që drejtori Sportiv i klubit amerikan, Dejv Kasper është shprehur: “Salihi është një sulmues i mirë, por nuk mund të projektohet si një titullar në kompeticionet që do të luajmë”. Trajneri Ben Olsen, gjatë këtij sezoni nuk i ka dhënë shumë hapësira shkodranit, duke preferuar në vendin e tij Lionard Pajo. Rezultat i kësaj ishte edhe paraqitja jo e mirë që bëri Salihi në kampionat, ku shënoi vetëm 6 gola. Shpesh herë trajneri i D. C. Junajtid është kritikuar nga mediat përtej Oqeanit për minutat e pakta në dispozicion të sulmuesit kuqezi, por kjo nuk bëri që ai të ndryshonte mendim, duke e konsideruar lojtarin e dytë më të paguar të skuadrës, si një futbollist stoli. Megjithatë, ndërprerja e kontratës mes Salihit dhe klubit të tij aktual është një proces i ndërlikuar. Shkodrani ka një kontratë të garantuar edhe për 1 vit dhe duhet që në adresë të sulmuesit të vijë një ofertë e përshtatshme për të, ose në rast të kundërt ai do të duhet të qëndrojë edhe për një sezon në Amerikë. “Me shumë mundësi do të largohet jashtë vendit dhe nuk do të transferohet në një tjetër klub të MLS-së”, shprehet Drejtori Sportiv i D. C. Junajtid. Hamdi Salihi gjatë sezonit të kaluar shënoi vetëm 6 gola në 22 paraqitje, këto të fundit me minutazh të reduktuar, fakt që e pengoi “bomberin” shqiptar të shprehte plotësisht potencialin e tij. Megjithatë, largimi i tij nga kampionati Amerikan i futbollit duket çështje pothuajse e përfunduar. Kjo duke u nisur edhe nga zhvillimet e fundit, por edhe nga vetë fjalët e Drejtorit Sportiv të klubit ku aktivizohet shkodrani. Një aventurë e tij në Evropë mund të rezultojë sërish një “ringjallje” për Salihin, i cili momentin e tij më të mirë në karrierë e ka pasur te Rapidi i Vjenës, skuadër prej së cilës, D. C. Junajtid e afroi me shumë bujë dhe i siguroi një kontratë nga e cila lojtari, vetëm në vitin e parë përfitoi në total 487 mijë dollarë.
www.shkodrasport.com