Ashtu siç kemi lajmëruar, ekipi i futbollit të femrave të “Juban Danjës” sot ka zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin e Suharekës së Kosovës. E planifikuar për t’u luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ajo është spostuar në fushën e kompleksit Hasaj në Golem. Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje ka qenë 5-0 për ekipin e “Juban Danjës”. Golat në këtë ndeshje kanë patur për autore Suada Jasharin (2), Advije Veliun, Nora Selmanin dhe Klaudia Rrotanin. Sipas informacionit që jep presidenti Ferdinand Jaku, përveç zhvillimit të ndeshjes, shumë interesant ka qenë fakti që të gjitha futbollistet e ekipit kosovar kanë qenë të shoqëruara në këtë miqësore nga familjarët e tyre, çka tregon më së miri për interesimin që kosovarët kanë për sportin, gjë që nuk ndodh tek ne.
Miqësorja e sotme, do t’i shërbejë ekipit të “Juban Danjës” për të parë gjendjen e tij pikërisht një javë para nisjes së ndeshjes të Kupës së Shqipërisë, që do të startojnë të shtunën e ardhshme, më 26 janar. Objektivi i këtij ekipi që është fituesi në fuqi i këtij trofeu, është marrja e tij edhe sivjet megjithatë pritet një rivalitet i fortë në mes tij dhe Adës së Velipojës dhe me shumë mundësi, kjo do jetë finalja e këtij sezoni në këtë kompeticion.
www.shkodrasport.com