Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi ka refuzuar të kalojë tek skuadra kineze Changchun Yatai Fc sepse nuk i ka pëlqyer oferta financiare që ata i kanë bërë. Duke qenë kështu, ai ka vendosur të qëndrojë në Austri edhe njëherë tjetër, gjithnjë nëse kinezët nuk e rrisin ofertën e tyre financiare. Sipas një prononcimi të bërë nga 28 vjeçari shkodran për gazetën austriake “Courier”, ai ka thënë se “u kam kërkuar drejtuesve të klubit kinez të rrisin ofertën e tyre sepse me atë çfarë ofronin ata, unë nuk isha dakord të lëvizja drejt Kinës. Për momentin nuk kam marrë asnjë përgjigje prej tyre dhe ndoshta ata janë duke menduar për një sulmues tjetër. Por edhe mund të realizohet shkuarja ime atje ngaqë merkatoja në Kinë mbaron më 2 mars. Duhet të presim se çfarë do ndodhë por me shumë mundësi, unë do bisedoj edhe njëherë me trajnerin e Rapidit dhe do qëndroj këtu deri në verë sepse në Vjenë ndihem mirë”. Kaq ka thënë ai duke i dhënë fund kësisoj zhurmës së krijuar në lidhje me kalimin e tij në Kinë, Skoci, Angli, Francë, Turqi apo kund tjetër. Salihi sigurisht që nuk po kalon një moment të mirë tek Rapidi ngaqë nuk luan titullar megjithatë nuk ka ndonjë ofertë më të mirë deri tani prandaj dhe do qëndrojë aty deri në verë për t’u larguar pastaj në parametrat zero nga ky klub.

www.shkodrasport.com