Në prag të “klasikes” së futbollit shqiptar, një nga zërat më të respektuar të futbollit tonë, Hamdi Salihi flet për gjendjen aktuale të dy skuadrave më të titulluara në vend, Vllaznisë dhe Tiranës.
Ai ndalet te diferencat mes tyre, mënyra si janë ndërtuar ekipet, te objektivat që kanë për këtë sezon dhe te mënyra si shihet përballja e madhe që gjithmonë ndez pasionin e tifozëve.
I ke parë dy skuadrat Vllazninë dhe Tiranën?
Po, me thënë të drejtën, kam parë më shumë ndeshjet e Vllaznisë dhe pak të Tiranës. Kam parë disa ndeshje të Tiranës. Janë ekipet më me emër, më me zë në futbollin shqiptar, por janë në dy situata të ndryshme për momentin. Vllaznia është e konsoliduar dhe pretendente për titull, ndërsa Tirana është akoma në ndërtim dhe në kërkim të identitetit. Duke marrë parasysh gjithçka, Vllaznia më ka pëlqyer.
Vllaznia të ka pëlqyer për mënyrën sesi e ndërtoi skuadrën, si luan, qëllimin që i ka vënë vetes objektivin që të dalë kampione dhe nuk fshihet më…
Unë kam qenë gjatë verës në Shqipëri, gjatë kohës kur zhvilloheshin ndeshjet europiane, dhe kam folur pak edhe me Edin dhe me Vlorin. Ata kishin ekipin e tyre të ndërtuar paraprakisht, në mendjen e tyre 100%, dhe më vjen mirë që gjithçka u ka shkuar ashtu siç e kishin menduar. Çdo ditë e më shumë ekipi konsolidohet, merr vetëbesim dhe bëhet përditë e më mirë për mënyrën e lojës.