Lautaro Martinez ka koleksionuar një gol dhe një asist të premten ndaj Specias, duke shpresuar se kjo do të jetë kthesa e sezonit të tij, që së fundmi ka lënë për të dëshiruar.

E pavarësisht kësaj dhe deklaratës së vetë lojtarit në fund të ndeshjes, “mendoj vetëm për Interin”, e ardhmja e tij është ende mister, sepse prej muajsh tashmë ka përfunduar në qendër të zërave të merkatos edhe pse vetëm në tetor firmosi kontratën e re që e lidh me Interin deri në 2026-ën, një kontratë që i shkon për shtat statusit të liderit të sulmit dhe skuadrës që e ka shndërruar në një nga më të paguarit e organikës, me 6 milionë euro në sezon, plus bonuset.

Sidoqoftë, sulmuesi pritet të jetë i sakrifikuari i klubit zikaltër në merkaton e verës dhe tashmë Interi ka fiksuar edhe çmimin e tij: 70 milionë euro.

Pas heqjes së klauzolës prej 111 milionë eurosh në kontratën e re dhe performancave në rënie, vlera e kartonit të argjentinasit ka rënë dhe të shumta janë klubet që e ndjekin.

Simeone me Atletikon e Madridit dhe Konte me Totenhemin e kanë shprehur prej kohësh interesin, por në skenë është rikthyer edhe Barcelona.

BARÇA – Katalanasit kërkojnë një sulmues dhe pas Halandit e Levandovskit, po ndjekin edhe 24-vjeçarin, për të cilin po mendojnë të konkretizojnë interesin e tyre, pasi kanë marrë edhe miratimin e trajnerit Ksavi që e vlerëson potencialin e tij.

Këtë herë duket se spanjollët kanë gjetur edhe kartat që do të përdorin për të bindur Interin dhe siç raporton e përditshmja katalanase “Sport”, ata janë Miralem Pjaniç e Memfis Depai.

Boshnjaku, aktualisht i huazuar te Beshiktashi dhe sulmuesi holandez janë emrat që drejtuesit kërkojnë të përfshijnë në tratativë, duke shfrytëzuar faktin që muajt e fundit të dy kanë përfunduar në orbitën e merkatos zikaltër.

Ndërsa nuk janë në planet e Ksavit, të dy i pëlqejnë Simone Inzagit që i konsideron si përforcimet ideale për mesfushën dhe repartin e avancuar, por në fund shumë do të varet nga vullneti i të tre futbollistëve, veç atyre të klubeve.

Lautaro nuk do e refuzonte Barcelonën edhe pse disa herë ka shprehur dashurinë për Interin, kurse Depain do e intrigonte Seria A për të pasuruar karrierën e tij, ashtu si Pjaniç që nuk do t’i thoshte jo rikthimit në elitën e futbollit europian pas aventurës në Turqi.

Deri në hapjen e merkatos të shumta janë transferimet që do të kushtëzojnë njëri-tjetrin dhe deri atëherë, e vetmja gjë e sigurt është që Lautaro nuk është më i pashitshëm.