Haris Lika, ish-trajneri i Veleçikut ka komentuar së fundmi për ecurinë e Vllaznisë. Ai u ndal kryesisht tek ndeshja e fundit kundër Laçit ku shkodranët fituan me rezultatin 4-1. Lika u shpreh në fjalët e tij se tashmë kjo është fytyra reale e skuadrës. Gjithashtu ai shpreson që ekipi të krijojë një vazhdimësi duke vijuar nga kjo javë që sipas tij mund të jetë vendimtare për ecurinë.

Lika tha: “Fitorja kundër Laçit kishte gjithçka brenda. Lojë, rezultat dhe spektakël, ajo çfarë të gjithë presim nga kjo Vllazni. Ekipi u shpreh shumë mirë në fushën e lojës dhe pavarësisht se kishte disa mungesa të rëndësishme, ato nuk u ndjenë fare. Kjo edhe si meritë e lojtarëve që i kishin zëvendësuar, që ishin me të vërtetë në nivelin e duhur.

Ekipi po “ngroh” në këto momente dhe me të vërtetë jep shpresë për gjëra të mëdha. Më pëlqeu edhe vendosja e Males në të majtë, ku shpesh tentonte të hynte nga qendra për të rrezikuar. U duk tamam si Latifi me lëvizjet e tij e patjetër që Mala është një lojtar cilësor dhe nga më të mirët e kampionatit.

Java që vjen ? Do jenë dy takime delikate kundër Bylis dhe Erzenit në transferta. Si më të fortë shoh ndeshjen kundër ballshiotëve, nga vetë stili i futbollit që kanë dhe terreni ku do zhvillohet takimi.

Besoj se kjo mund të jetë një javë që mund të vendosë shumë në ecurinë e ekipit. Pasi një skuadër për të krijuar vazhdimësi i duhen disa fitore rradhazi dhe unë uroj që Vllaznia të mos ndalet. Kam besim për faktin se ekipi ka shumë cilësi brenda”.
Endri ÇINARI