Në dy ditët e para të stërvitjes me ekipin e Vllaznisë trajneri i sapoemëruar në krye të tij Hasan Lika, i ka stërvitur i vetëm futbollistët.

Arsyeja ishte se ai nuk ka patur ndonjë kandidaturë të gatshme për ndihmësit e tij dhe deklaroi se në bashkëpunim me drejtuesit e klubit do të gjente trajnerë shkodranë që kanë dëshirë të japin kontribut për këtë skuadër. Dhe në fakt, të parin duket se e ka gjetur.

Në stërvitjen e sotme, përkrah Likës ka qenë edhe trajneri i portierëve Ideal Lekiqi. Ende nuk ka ndonjë informacion nëse zyrtarisht ka nisur punë në stafin e ekipit të parë apo do të ndihmojë thjesht gjatë kësaj periudhe.

Gjasat janë që të vazhdojë gjatë aty. Lekiqi aktualisht mban detyrën e trajnerit të portierëve pranë Akademisë Vllaznisë por edhe gjatë sezonit të kaluar ka punuar për njëfarë periudhe me ekipin e parë përkrah Armando Cungut.

Ardhja e Ernest Gjokës bashkë me stafin e tij nga kryeqyteti, e spostoi Lekiqin përsëri tek Akademia por duket se ka ardhur momenti për të kaluar edhe njëherë tjetër tek ekipi i parë.
© shkodrasport.com