Ish- trajneri që drejtoi Vllaznisë vjet në kategorinë e parë- Hasan Lika, është rikthyer sërish të flasë për mediat. Nga Amerika ku tashmë jeton bashkë me familjen e tij, ai është pyetur nga gazetarët në prag të ndeshjes Vllaznia- Partizani, pikërisht për gjendjen që po kalojnë të kuqtë por edhe situatën tek Vllaznia.
Për këtë të fundit është pyetur edhe për presionet dhe kërcënimet që vazhdojnë sërish tek kjo skuadër ashtu si dhe sezonin e kaluar kur ai ishte në krye të saj. Megjithatë Lika nuk ka dashur të flasë për këtë çështje por për anën sportive teksa ka deklaruar:
“Mos më ngatërroni me ato problemet e tjera. Nga ana teknike, Vllaznia më shumë problemet i ka pasur në fushën e saj sesa jashtë ku ka qenë më e suksesshme. Problemet teknike u takojnë drejtuesve dhe futbollistëve që duhet t’i zgjidhin.
Vllaznia ka humbur shumë pikë në Shkodër dhe po t’i kishte marrë ato pikë në shtëpi, do të ishte ndryshe. Them në shtëpi pasi në teori kur ekipi luan brenda është më i favorizuar, por në praktikë vendos fusha e lojës.Ajo duhet të ishte treguar më e kujdesshme në “Loro Boriçi” për të patur një pozicion më të mirë”- ka deklaruar ish- trajneri kuqeblu.
Hasan Lika ka folur qartë dhe ka nxjerrë në pah problemin kryesor të Vllaznisë së këtij sezoni. Pa dashur të ndalet tek problematikat jashtë fushë që në fakt i ka kaluar edhe vetë, megjithatë ky është shembulli që duhet të ndjekin të gjithë: Të flasin për futboll më shumë sesa për gjëra të tjera.
© shkodrasport.com