Shkruar nga Gjergj KOLA
Hearts vazhdon të bëjë surprizën në kampionatin e “Scottish Premiership” teksa vazhdon të kryesojë i vetëm renditjen e tij edhe pas javës së 18-të dhe ecën i sigurtë drejt titullit kampion. Ajo çka na bën të jemi tifozë me këtë skuadër është fakti që pjesë e saj është edhe ish- futbollisti i Vllaznisë Sabah Kerjota.
Skuadra e Hearts ka marrë sot një fitore me shumë vlerë ndaj një ekipi me shumë emër si Rangers dhe futbollisti shkodran ka lënë edhe ai gjurmë në këtë sukses, ndonëse për vetëm pak minuta.
Takimi në mes këtyre dy skuadrave ka qenë shumë i rëndësishëm, por Hearts duke luajtur në fushën e tij ka bërë një performancë më të mirë dhe si rrjedhojë ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1. Golat për të janë shënuar që në pjesën e parë me autorë Findlay dhe Shankland, ndërsa goli i vetëm i Rangers është shënuar në ’95, atëherë kur kishte mbaruar çdo gjë.
Kerjota është hedhur në fushë dy minuta para fundit të kohës së rregullt në vend të Kyziridis. Aktivizimi i sotëm rregjistron ndeshjen e tij të tetë këtë sezon me Heart, të gjitha si zëvendësues dhe në fakt është mëse e justifikueshme kjo gjë sepse ish- lojtari i Akademisë Vllaznia u bashkua vetëm në gusht me skuadrën e tij të re, atëherë kur formacioni ishte formatuar.
Dhe në fakt ecuria shumë e mirë e Hearts, ka bërë që Sabahit të mos i jepet ende mundësia për ta nisur si titullar, por me shumë siguri që në ndeshjet e ardhshme kjo do të ndodhë. Ju kujtojmë se Hearts kryeson aktualisht renditjen e kampionatit skocez me 41 pikë, i ndjekur nga Celtic me 35 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


