Gjërat nuk kanë shkuar siç shpresonte Erik Hamren pasi mori drejtimin e Islandës në gusht, përfaqësuesja nordike zhgënjeu plotësisht në Ligën e Kombeve duke rënë në atë B pa dhënë shenjat e asaj loje që mahniti të gjithë në 3 vitet e fundit.

Por trajneri suedez i Islandës shpreson që të përsëritë sukseset e viteve të kaluara në rrugëtimin drejt Europianit, ku një prej rivalëve është edhe Shqipëria në Grupin H.

“Është një rrugëtim interesant, mjaft i komplikuar. Mund të kishte qenë me lehtë, por edhe më e vështirë në të njëjtën kohë. Megjithatë, nuk e di kurrë se sa e vështirë mund të jetë derisa të luash ndeshjet. Sigurisht Franca është më e suksesshmja, ndërsa meqë kemi në grup Turqinë, shpresojmë që rezultatet që kemi marrë ndaj tyre të zgjatin përgjithmonë.

Do të na duhet të jemi të mirë, të gjtihë skuadrave do t’u duhet të jenë të tilla nëse duan të luajnë në turneun final. Duhet të jemi në të gjitha ndeshjet.

Do të na duhet të jemi shumë të mirë në fakt. Është e vështirë të arrish turneun e tretë madhor radhazi, do të ishte e vështirë edhe për shumë shtete të tjera të mëdha, më të mëdha se Islanda, por ky është objektivi ynë dhe mendoj se mund t’ia dalim”, deklaroi ai për shortin e sotëm. /vipsport/