FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMesfusha në fokus, rikthimi i kampionatit mund të sjellë ndryshime tek Vllaznia

Mesfusha në fokus, rikthimi i kampionatit mund të sjellë ndryshime tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Mesfusha është një nga repartet që po merr vëmendje të veçantë te Vllaznia në këto ditë pushimi të kampionatit. Starti i kuqebluve nuk ka qenë ai që pritej dhe një prej pikave ku stafi teknik kërkon të ndërhyjë është pikërisht reparti i mesfushës, nga i cili pritet më shumë në vazhdimësi dhe në ndikimin që duhet të ketë në lojën e skuadrës.

Në sezonin e kaluar, Vllaznia kishte disa futbollistë në këtë repart që në momente të ndryshme arrinin të bënin diferencën. Mesfushorët shfaqeshin me gola, asistime, volum loje dhe iniciativa individuale, duke ndihmuar ekipin të merrte rezultate edhe në takime të vështira. Diçka e tillë nuk është parë me të njëjtën frekuencë në këto javë të para të sezonit të ri.

Edon Murataj, për shembull, e nisi sezonin në mënyrë shumë të mirë, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të Vllaznisë në dy ndeshjet e para. Megjithatë, në dy javët e fundit niveli i tij ka rënë, ndërsa edhe pjesa tjetër e mesfushës nuk ka arritur të japë atë siguri dhe kreativitet që kërkohet për të mbështetur siç duhet repartin ofensiv dhe sulmuesit.

Pikërisht për këtë arsye, gjatë kësaj periudhe pauze, puna e stafit teknik pritet të fokusohet edhe në mënyrën se si duhet të funksionojë më mirë mesfusha, si në fazën e ndërtimit të aksioneve, ashtu edhe në tranzicion dhe në mbështetjen e mbrojtjes. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se problemet e Vllaznisë lidhen vetëm me këtë repart, pasi edhe repartet e tjera kanë nevojë për përmirësime.

Një tjetër element interesant është fakti se alternativat nuk mungojnë. Vllaznia ka disa emra në mesfushë dhe konkurrenca për vendet e titullarëve është e pranishme. Kjo e bën edhe më të hapur situatën për javët e ardhshme, pasi forma e futbollistëve gjatë stërvitjeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në zgjedhjet e stafit teknik.

Me rikthimin e kampionatit dhe përballjen me një kalendar të vështirë, hierarkitë në këtë repart mund të ndryshojnë. Kjo pauzë është një mundësi për disa futbollistë që të fitojnë terren, ndërsa për të tjerë është momenti për të rikthyer nivelin e treguar në fillim të sezonit. Mesfusha mbetet kështu një nga çështjet kryesore që Vllaznia duhet të zgjidhë për të ndryshuar ritmin e këtij starti.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments