Pasditën e sotme do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së parë të edicionit të ri futbollistik 2022-2023 të Abissnet Superiore. Në orën 17:00, në stadiumin e qytetit të Laçit do të zhvillohet sfida Laçi-Teuta.
Te kurbinasit është rikthyer sërish në pankinë Dejan Vukiçeviç, i cili kërkon që të ruajë përsëri Laçin në ecurinë e sezonit të kaluar, ku mban petkun e nënkampionit të Shqipërisë. Ndërkohë, durrsakët e Renato Arapit synojnë të lënë pas krahëve sezonin e kaluar dhe të përsërisin atë që bënë përpara dy vitesh duke u shpallur kampion të Shqipërisë.
Si Laçi, ashtu edhe Teuta vijnë në këtë takim me ndryshime të shumta në përbërje. Kurbinasit kanë afruar plot 16-futbollistë të rinj, mes tyre mbrojtësin Albi Alla dhe sulmuesin Vasil Shkurtaj, të cilët pritet të mungojnë në këtë javë të parë. Nga ana tjetër, mesfushori polak, Ariel Borysiuk, pritet ta nisë nga stoli ndaj Teutës. Dje klubi kurbinas konfirmoi edhe sulmuesin serb Xhorxhe Ivkoviç, i cili prej një jave stërvitet me ekipin dhe pritet të jetë gati që sot.
Nga ana tjetër, për Teutën që do të jetë mysafire në fushën e Laçit, praktikisht konsiderohet ndeshje e vështirë, por optimizmi te durrsakët është maksimal për të marrë rezultat pozitiv në start. Në formacionin e trajnerit Renato Arapi, titullar në majën e sulmit pritet të jetë sulmuesi shkodran Rubin Hebaj, teksa pritet shumë prej tij.
Ndërkohë, edhe tek Laçi në formacionin e trajnerit Dejan Vukiçeviç pritet të jetë edhe mesfushori shkodran, Sebastjan Spahiu, një futbollist tepër i talentuar dhe në një moshë relativisht të re.
Ndeshja Laçi-Teuta do të luhet pasditën e sotme në orën 17:00 në stadiumin e qytetit të Laçit dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/
Laçi-Teuta, formacionet e mundshme
Laçi (4-3-3): Dajsinani, Roganoviç, Velkoski, Turkaj, Ziko, Spahiu, Babatunde, Ujka, Çuçin, Mazrekaj, Akinyemi Tr: Dejan Vukiçeviç
Teuta (4-3-3): Qirko, Idrizaj, Qaqi, Jazxhi, Kotobelli, E. Vila, Çejku, Beqja, L. Vila, Oshafi, Hebaj Tr: Renato Arapi
Arbitër: Juxhin Xhaja