Zlatan Ibrahimoviç konsiderohet si një prej futbollistëve më të vështirë, jo vetëm për kundërshtarët e tij në fushë, por edhe nga ana karakteriale. Përveç golave magjikë, pasi me këmbët e tij di që të alternojë goditjet potente e kërcimet e denja prej karateje me ato elegante si golat me thembër, shpesh suedezi është bërë edhe personazh i skenave polemizuese, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.
Thuhet se sulmuesi i Milanit nuk i duron dot rufianët, pasi shumë prej tyre nuk ka munguar që t’i poshtërojë edhe në transmetim direkt. Por në të njëjtën kohë, nëse dikush e sheh keq, nuk e ka aspak problem që edhe t’i kthehet në mënyrë më të keqe, siç tregon një episod në vitin 2012:
një gazetar priste që ta merrte në intervistë, por me sa duket mënyra se si po e shikonte nuk i pëlqeu dhe kundërpërgjigjja ishte e menjëhershme: “Po t’i çfarë m… ke që më sheh ashtu?!”. Ai u gjobit nga klubi dhe kërkoi falje, por kjo nuk do të thotë që nuk e përsëriti.
Helena, arma sekrete
Fundja, Ibra është Ibra… Edhe në Los Anxheles, aty ku dikush shkon për të fituar një pension të majmë, suedezi diti se si të lërë shenjën e tij. Pas golit të tretë sezonal, Ibra shënoi me një penallti, ekzekutoi një “Panenka” perfekte. Në fund të sfidës, një gazetar e pyeti se çfarë ndjesie kishte teksa po luante në kampionatin amerikan dhe përgjigjja ishte epike:
“Ah… Pse luanit futboll deri dje ju këtu? Mendova se më sollët që t’ua tregoja unë se si bëhej kjo gjë”. Në SHBA ka fituar më shumë tituj gazetash ai sesa të gjithë të huajt e ardhur në dekadën e fundit, por edhe në Itali ka ndodhur dhe pritet të ndodhë e njëjta gjë.
Për denigruesit e tij, Zlatani etiketohet si një provokues, një arrogant, por edhe këta që s’e duan, dorëzohen përpara faktit se kanë të bëjnë me një kampion absolut dhe sekreti i jetëgjatësisë së tij në futboll është vetëm një: bashkëshortja e tij, Helena Seger.
Një çift i veçantë
Është 11 vite më e madhe se ai, por në të njëjtën kohë, Helena Seger është totalisht e kundërta e Zlatanit. Ibra është i paparashikueshëm, ajo është shumë e kontrolluar… Ai është modest, ajo shumë elegante… Ai s’e njeh turpin, ndërsa ajo është shumë e rezervuar…
Ata pak që kanë pasur mundësinë ta njohin milanistin nga pranë, kanë qenë të gjithë në një mendje kur kanë saktësuar: Helena është e vetmja që di si ta kapë, ta qetësojë dhe ta bëjë të arsyetojë. Dhe është vetëm në shtëpi, përkrah saj, që Ibrahimoviç rigjen qetësinë dhe dorëzon armët.
Helena është suedeze, ndërsa Zlatani është i tillë më shumë prej pasaportës, duke qenë se është fëmija i një babai boshnjak mysliman dhe i një nëne kroate katolike. Një miks kulturor, që futbollisti e pasuroi edhe më shumë në Amsterdam, kur luante tek Ajaksi, por mbi të gjitha në Malmo, ku stadiumi ishte edhe sheshi i tij i “xhirimit”.
Por nëse ka një person që menaxhon gjithçka të Zlatanit, ajo është vetëm Helena, e cila për nga karakteri duket edhe më e fortë sesa bashkëshorti i saj, 11 vjet më i vogël. Një shembull: kur të gjithë vraponin dhe nxitonin për të hapur një profil social, ajo tha thjesht: “Jo, nuk bëjnë për mua”.
Pa rrjete sociale
Helena nuk ka një profil në “Instagram”, Ibra po… Por edhe në atë të bashkëshortit të saj, Helena nuk shfaqet në asnjë foto. Me forma prej një plazhisteje kaliforniane, alla Pamela Anderson, Helena e pushtoi zemrën e Ibrës në vitin 2001. Por që nga kjo periudhë, kurrë një ndarje, kurrë një thashethem për këtë gjë, por kurrsesi edhe asnjë krizë në familje. Helena dhe Zlatani janë prindërit e dy djemve, Maksimilian dhe Vinsent, djemtë e një prej çifteve ndoshta më solide të botës së sportit dhe jo vetëm.
Zero intervista
Në Suedi, gazeta më e madhe në vend e modës ndërkombëtare kërkonte prej vitesh që ta intervistonte me çdo kusht, por edhe pse i ofruan një shifër të përafërt me 1 milion dollarë, Helena u përgjigj: “Jo, nuk jam unë ylli i shtëpisë dhe nuk kam shumë gjëra për të thënë”.
Në stadium nuk ka nevojë për një poltron, por i mjafton edhe një cep, si gjithë tifozët e tjerë. Në të njëjtën kohë, është shumë e vështirë që të krijojë një lidhje me bashkëshortet e futbollistëve të tjerë, shumë prej të cilëve shumë herë më të reja sesa ajo dhe më ekstravagante në veshje, por kurrsesi më moderne e serioze se Helena.
Dhe të mendosh se përpara se t’i bashkohej planetit “Zlatan” dhe futbollistit Ibrahimoviç, ajo ishte një nga ato femra që çdo vit fitonte jo pak miliona dollarë në vit. Helena Seger ishte modelja më e rëndësishme në Suedi, por pas lidhjes me Ibrën, brenda 24 orëve, ajo përshëndeti agjencinë për të cilën punonte dhe iu dedikua totalisht bashkëshortit, duke e ndihmuar atë në investime, por mbi të gjitha duke marrë në dorë edukimin 360 gradësh të fëmijëve.
Dhe nëse doni ta dini, për Maksimilianin dhe Vinsentin, Helena është thjesht shumë xheloze, pasi që nga dita e lindjes së të parit prej tyre, nuk ka pranuar asnjëherë që të punësojë një dado, apo të pranojë asnjë ndihmë, nga askush, sepse nuk lejon askënd që t’i prekë me dorë fëmijët, përveç saj dhe Zlatanit.
Tregojnë se e kanë dëgjuar të ngrejë zërin vetëm një herë, kur një grup fotografësh i shkrepën foto fëmijëve të saj dhe jo Zlatanit. Dhe mjaftoi ajo ulërimë dhe shikimi djallëzor i Ibrës për të bërë që një tentativë e tillë të mos përsëritej më.
Ato pak herë që Helena mund të dalë në ndonjë rresht gazete dhe vetëm në Suedi, ajo ua dhuron ato vetëm dy shoqeve të saj më të ngushta, që ushtrojnë profesionin e gazetares. Sepse kushdo që nuk e njeh personalisht Helenën, e ka thjesht të pamundur të shkëmbejë, apo qoftë t’i rrëmbejë asaj një buzëqeshje.
Në shtëpi nuk flitet për futboll, por thjesht për ambientin, modën, artin dhe kulturën. Madje, ajo i ka shumë të qarta edhe planet e të ardhmes, sepse siç e ka nënvizuar Helena, kur Ibra të vendosë t’i japë lamtumirën futbollit, as që duhet ta mendojë të nisë karrierën e trajnerit.
Përkundrazi, Zlatani së bashku me Helenën do të kthehen në Suedi dhe Ibra do t’i përkushtohet totalisht familjes, në Stokholm. Duhet t’i përkushtohet karrierës së djemve të tyre, që përflitet se që tani janë shumë premtues. Nëse për Ibrahimoviçin tashmë njihet gjithçka, ose thuajse gjithçka, për Helenën nuk dihet thuajse asgjë dhe ndoshta pikërisht kjo është e bukura.
Sepse ndoshta ishte vetëm kjo grua kaq e ndryshme nga ai, e cila ka ditur që të zbusë luftëtarin, të cilit i dha edhe një shtëpi (shtëpinë e parë e ka blerë ajo), një familje dhe shumë qetësi. Fundja, siç e ka nënvizuar vetë zonja Ibrahimoviç:
“Zlatani më dashuron kështu siç jam. Sa herë më sheh që të xhiroj e zbathur në shtëpi, me bluzën e tij të Suedisë me numrin 10, nuk mungon së më thëni sa e bukur është pizhama ime”. Dhe duke parë Zlatanin që edhe pse 38-vjeçar luan ende në nivele të larta, është vështirë të mendosh se Helena Seger gënjen…