Nga Endri ÇINARI

Vllaznia do jetë nesër në aktivitet sërish dhe kësaj rradhe për kupën e Shqipërisë. Kuqeblutë do presin në Shkodër, ekipin e Flamurtarit në orën 17:00. Duel që do luhet për raundin e 1/8 të kompeticionit. Dhe ku e veçanta është se gjithçka do vendoset brenda kësaj ndeshjeje.

Ku edhe ky raund në kupë do luhet me një takim, që do përcaktojë ekipin që do kalojë në çerekfinale. Prandaj serioziteti është i madh në rradhët e shkodranëve, të cilët nuk duan surpriza të hidhura në kupë. Duelet me vlonjatët kanë qenë shumë të shpeshta në këtë kompeticion në sezonet e fundit.

Më konkretisht kjo është hera e tretë rradhazi që Vllaznia dhe Flamurtari vendosen kundër në kupë. Në sezonin 2021-22, Vllaznia triumfonte në dy ndeshjet çerekfinale ndaj vlonjatëve. Me rezultatin 1-2 në transfertë dhe 1-0 në “Loro Boriçi”. Po ashtu sezonin e shkuar dy ekipet do ishin përballë njëri-tjetrit. Ku rivaliteti do ishte më i madh sepse Vllaznia mposhtej në Vlorë me rezultatin 2-1.

E ndërsa vetëm pas kohës shtesë në ndeshjen e kthimit, Vllaznia do arrinte të kualifikohej me rezultatin 3-0. Ndeshja nesër do jetë hera e tretë rradhazi që dy prej ekipeve që kanë shkruar historinë e futbollit tonë, do jenë përballë në kupë. Ku Vllaznia do kërkojë të vijojë traditën pozitive e Flamurtari të tentojë surprizën në një kompeticion ku gjithçka duket si një “finale”.