Vllaznia po përgatitet maksimalisht për sfidën e ditës së enjte ndaj Teutës. Për këtë ndeshje sa u përket kartonëve, një futbollist i kuqebluve duhet të bëjë kujdes në fushën e lojës gjatë kësaj përballjeje, pasi rrezikon të humbasë takimin e rradhës ndaj Partizanit, që do të zhvillohet diçka më pak se pas një muaji, kur të rifillojë kampionati në janar.

Kështu, bëhet fjalë për mesfushorin Herald Marku, i cili rrezikon takimin me Partizanin, teksa ka marrë tre kartonë të verdhë deri më tani në 14-javë të luajtura.

Mesfushori shkodran, por i lindur në Laç, është ndëshkuar ndaj Tiranës, Kukësit dhe Kastriotit, teksa nëse ndëshkohet edhe me një tjetër karton të verdhë në ndeshjen ndaj Teutës që luhet në “Loro Boriçi”, pra atë të katërtin, ai do të humbasë takimin e rradhës me Partizanin në janar.

Futbollistë të tjerë në fushën e lojës që rrezikojnë me kartonë te Vllaznia nuk do të ketë për momentin, pasi edhe Marko Juriç që ka tre të tillë, nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjen ndaj Teutës.

Realisht, kjo shifër e kartonëve të marrë nga futbollistët shkodranë tregon se në këto 14-javë kampionat, Vllaznia nuk është ngarkuar shumë me ndëshkime, pasi asnjë lojtar kuqeblu deri më tani, nuk ka marrë katër të verdha.

Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, ekipi i Vllaznisë po përgatitet maksimalisht që të enjten në “Loro Boriçi” ndaj Teutës, të marrë më të mirën e mundshme.
Maringlen ZHIVANI