Federata Shqiptare e Volejbollit ka hedhur ditën e djeshme shortin e kampionateve të meshkujve dhe femrave, kampionate këto që do të nisin në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit. Këtë edicion, pjesmarrs në kampionatin e meshkujve do të jenë 9 skuadra e pikërisht Vllaznia, Teuta, Erzeni, Partizani, Skënderbeu, Studenti, Farka Volley, Elbasani dhe Tirana.
Vllaznia do ta ketë pushim në javën e parë sipas kalendarit të hedhur dhe për rrjedhojë ndeshjen e parë zyrtare për kampionatin e ri do ta luajë më 5 tetor në Shkodër ku do të presë në “Qazim Dervishi” ekipin e Teutës. Duhet thënë se pritshmëritë për ekipin shkodran në këtë sezon nuk janë të mëdha dhe me shumë mundësi, nuk do të jetë pretendent sepse i janë larguar dy prej titullarëve, Gjoklaj dhe Lloshi.
Me përbërjen që ka në dispozicion trajneri Kraja, do ta ketë shumë të vështirë të rivalizojë me ekipe si Partizani e Erzeni që janë forcuar shumë kohët e fundit. Ndërkohë është përcaktuar edhe shorti I kampionatit të femrave, kampionat në të cilin do të marrin pjesë 8 skuadra: Barleti Volley, Teuta, Partizani, Skënderbeu, Vllaznia, Tirana, Mirdita dhe Apolonia.
Sezoni i rregullt do të nisë më 5 tetor dhe përfundojë më 28 mars 2020. Në ndeshjen e javës së parë, Vllaznia do të presë në Shkodër ekipin e Tiranës. Vajzat shkodrane pritet të jenë ndoshta surpiza e këtij kampionati teksa kanë pretendime për të qenë në mes ekipeve më të mira të tij.
© shkodrasport.com