Eshte hedhur shorti i Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj. Siç është bërë e ditur tashmë, në këtë edicion, do të marrë pjesë për herë të parë edhe një ekip nga Shqipëria, pikërisht kampionia e saj në fuqi, Vllaznia e Shkodrës. Me hedhjen e shortit, shkodranët kanë mësuar emrat e ekipeve kundërshtare. Kuqeblutë do të bëjnë pjesë në grupin B bashkë me ekipet kampione të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Takimi i parë do të jetë ai që skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj do të luajë në pallatin e sportit të Prishtinës, ndaj skudrës së Sigalit.

Ky takim do të luhet më 14 tetor. Ndërkohë ndeshja e parë që do të luhet në Shkodër do të jetë ajo ndaj kampiones malazeze, Mornar të Tivarit. Kështu me rradhë do të vazhdojnë edhe takimet e tjera të kësaj Lige. Vllaznia natyrisht që nuk ka pretendime në këtë edicion të parë megjithatë do të tentojë që të mos i humbasë të gjitha ndeshjet por përkundrazi të tentojë të bëjë një përfaqësim sa më dinjitoz. Për këtë arsye, drejtuesit e saj kanë hyrë në merkato dhe tashmë përveçse kanë rimarrë sërish sllovenin Sarajlija, po tentojnë të marrin edhe një basketbollit amerikan dhe një kanadez. Nga ana tjetër, përgatitjet e këtij ekipi po shkojnë ashtu siç duhet ndërkohë që edhe rikonstruksioni i pallatit të sportit “Qazim Dervishi” po shkon në mënyrën e duhur dhe deri më 28 tetor kur do të luhet ndeshja e parë aty, sigurisht që punimet do të kenë përfunduar me cilësinë e duhur.

www.shkodrasport.com