Portieri i Bylist, Isli Hidi ishte protagonist në triumfin e sotëm ndaj Skënderbeut, teksa realizoi golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë. Në prononcimin pas ndeshjes, gardiani i skuadrës ballshiote, u shpreh tepër i kënaqur për këtë fitore, teksa deklaroi se nuk e shikon skuadrën në luftë për mbijetesë, por në mesin e renditjes.

“Ishte një ndeshje shumë e mirë. E kishim vlerësuar në maksimum takimin. Kualiteti që Skënderbeu ka na vuri në vështirësi. Çunat dhanë maksimumin. Ishte një nga ndeshjet më të mira. Kampionati është i gjatë, të rijmë me këmbë në tokë. Me lojtarët dhe cilësinë, besoj se do jemi në mesin e artë të renditjes dhe nuk besoj se do të diskutojmë rënien nga kategoria.

Goli ishte dedikim për të gjithë stafin dhe lojtarët. Në veçanti lojtarit Ndreca. Doja gjithashtu t’ia dedikoja edhe familjes golin, që më ndjek gjithmonë. Në veçanti gocës time të madhe Esi.

Rivalët tonë direkte janë Flamurtari, Luftëtari, Vllaznia. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë, të japim maksimumin dhe të jemi të qetë. Kampionati është i gjatë. Për ne ishte një fitore shumë e madhe. Duhet të vazhdojmë kështu”, u shpreh Hidi për “Supersport”.