Në “Koverçano” nuk ka nisur vetëm epoka “Luçiano Spaleti”, e cila do të hyjë në fuqi me dy ndeshjet e para, më datë 9 kundër Maqedonisë së Veriut në Shkup dhe më datë 12 kundër Ukrainës në “San Siro”, por nga dje ka nisur edhe ajo e legjendës së portës italiane, Xhanluixhi Bufon. Shefi i ri i delegacionit të “axurrëve” drejt “Euro 2024” ka marrë menjëherë detyrën e re, pasi vendosi që të varë këpucët në gozhdë dhe është shumë entuziast për këtë fillim të ri:

“Kthehem në një ambient të cilin mendoj se e njoh shumë mirë, – komentoi Bufon përkrah Spaletit. – Roli im do të jetë ai për të dhënë një kontribut të vogël në atë që do të jenë dinamikat me të cilat do të përballemi. Jam një njeriu i lumtur dhe krenar për këtë detyrë të re që më kanë ofruar”. Xhixhi Bufon do të marrë rolin e të ndjerit Xhanluyka Viali, kampion Europe në stafin e Roberto Mançinit në “Euro 2020”, kundrejt të cilit përulet:

“Kujtimi është shumë i bukur, pasi kishim një marrëdhënie fantastike. Të mendosh se do të jem në lartësinë e tij është mendjemadhësi dhe e gabuar. Nuk do të isha kurrë në lartësinë e asaj çfarë ai ka bërë. Detyra ime është që ky grup të më vlerësojë për atë që jam”.

Për sa i përket shkollës së portierëve italianë, Bufon është i bindur se serbatori aktual është i mbushur me gardianë cilësorë, për të tashmen, por edhe për të ardhmen: “Në vitet e fundit kemi punuar mirë në këtë aspekt dhe ka shumë kandidatë të rëndësishëm. Me përjashtim të Donarumës kemi Vikarion, pastaj Provedel, i cili ishte edhe më i miri i sezonit të kaluar, apo edhe Meret, Falkone, Di Gregorio e Karnezeki.

Xhixhi në moment të vështirë? E kam parë në televizor, e ndjek, por teksa bën pritje madhështore, mes të cilave të ndodh edhe ndonjë gabim, atëherë kjo është diçka shumë pozitive për të mësuar nga gabimet dhe për t’i rritur në profesionin tënd. Unë e lashë në kombëtare teksa ishte një adoleshente, por tani rikthehem dhe gjej një burrë, i cili jam i bindur se do të jetë një shtyllë e fortë e kombëtares sonë”. Në fund, lidhur me objektivat, Bufon fluturon ulët, kjo e shtyrë edhe nga eksperienca e tij e madhe në këtë ambient.

“Kur sheh grupin tonë, arritja e objektivave minimalë është e detyrueshme dhe njëri prej tyre është kualifikimi për në Europianin e vitit 2024 në Gjermani. Pas tij rikthimi i të luajturit një Botëror, një plagë e cila mbetet e hapur sigurisht, por nëse rigjejmë vlerat me të cilat fituam atë Europian, jo vetëm që mund të luajmë, por mund të bëjmë edhe më shumë se aq”, vazhdon Xhanluixhi Bufon. Në fund, lidhur me lamtumirën e papritur të Roberto Mançinit, ish-juventini nënvizon: “Ishte një vendim i papritur mendoj për të gjithë, por federata iu përgjigj atij me bindje dhe shpejtësi. Por këto ditë që kam qëndruar përkrah trajnerit Spaleti jam gjithmonë e më tepër i bindur se Italia ka gjetur njeriun e duhur. Kam pak për të shtuar kundrejt koncepteve të tij taktike, por edhe në aspektin karakterial, me një trajner si Luçiano nuk do të më duhet që t’i flas shumë grupit të lojtarëve tanë”, përfundoi 45-vjeçari.