Gonzalo Higuain është kthyer përsëri të buzëqeshe. Pas një vitit të errët të kaluar në huazim mes Milanit e Çelsit, ai po e sheh përsëri veten protagonist me Juventusin e Mauricio Sarrit, në një skuadër pretendente për të fituar Ligën e Kampioneve. Një sezon ku duket se ka nisur gjithçka nga e para.

“Jam kthyer te Juventus për të punuar, që të mundohem të tregoj vlerën time. Që nga dita e parë dëshiroja të qëndroja këtu dhe të them të drejtën sot jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre. Kjo është një skuadër e madhe, me një tifozeri të madhe dhe një klub të madh, ndaj jam i lumtur. E njoh mirë skuadrën dhe qytetin” tha sulmuesi i cili në këtë etapë të re ka braktisur edhe fanellën me numrin 9 që dukej se sillte ters, për të marrë atë me numër 21.

“Kur u ktheva ishte në dispozicion edhe fanella me numrin 9. Por vendosa të ndryshoj e kalova te ai 21, pasi është dita kur ka lindur vajza ime. Kjo është paksa një mënyrë për ta pasur me vete në çdo ndeshje dhe mendoj se ka qenë një vendim zemre që për momentin po më sjell fat”, tha Higuain.

Sulmuesi deri tani është shfaqur si partneri më i mirë i mundshëm për Ronaldon në sulmin e Juventusit. “Nuk luaja prej shumë vitesh përkrah tij. Kam gjetur një lojtar më të kompletuar dhe që është rritur në ambicie që të mundohet të fitojë gjithçka dhe të thyejë çdo rekord. Sinqerisht, jam i lumtur që jam takuar përsëri me të”, tha Higuain. /vipsport/