Nga Besnik Dizdari
Për herë të parë me emrin e Imelda Prennushi-t – siç e shkruan vetë ajo me “nn”, ndërsa në Shkodër e shkruajmë “Prendushi” – mbiemri pra i këtij fisi të vjetër fisnik të qytetarisë shkodrane – jam njohur më 1992 përmes “Annuario Illustrato del Basket”. Mund të mos isha njohur nëse nuk më thoshte mendja me pa gjithë emrat e të gjitha kampioneve të Italisë në basketboll për femra.

Dhe, pa më thënë askush, sapo lexova “Imelda Prennushi” e Triestes thashë me bindje të pagabueshme që është shqiptare e Shkodrës. Dhe këtë për dy arsye: për mbiemrin dhe për qytetin kur e dija se Prendushë të Shkodrës ishin bërë qytetarë të Triestes me kohë.
Sa vjet që kanë kaluar për të mbërritur kështu te ky “roman” gazetarie për mua i rrallë, krejt i veçantë, i cili teksa ka si personazh kryesor Imelda Prennushi-n, mbështjell rreth tij një epokë, një kohë plot emra, Italinë dhe Shqipërinë, Triesten dhe Shkodrën, lidhje e histori, befasina dhe përkime që padashur mbërrijnë deri tepersonalitete, shokë e miq të mi, te kolegë e për çudi deri te familja ime.Më vjen pak keq që edhe pse vendosa me kohë të shkruaja, kam vonuar për Imelda Prennushi-n – figurë e shquar e rangut më të parë të basketbollit italian – një shqiptare, bijë autentike e Shkodrës edhe pse ka jetuar në Itali. E, tash, them se më mirë që kam vonuar. Sepse është mû kjo vonesë që më çon jo thjesht te historia e saj pra, por te horizonti disi i pamatë i një prej atyre historive të çmueshme qytetare, të cilat ne kurrë nuk i çmuam, nuk i hulumtuam, nuk i treguam. Duke mbetur gjithnjë vetëm te personalitetet madhore të historisë sonë kombëtare, por duke “zhdukur” nga historitë të ashtuquajtura “të vogla” që nuk janë aspak të vogla, sepse teksa bashkohen, ato përmbledhin historitë e mëdha të një familje, të disa familjeve, të një qyteti, të një kulture, të një kombi, të një shteti. E them me bindje të plotë se Shqipëria, që hiqet sikur merret fort me diasporën apo me shqiptarët që jetojnë jashtë, aspak nuk merret sa e si duhet me këto histori “të vogla” të historisë së madhe qytetare.
Vërtet, kam bërë mirë që jam vonuar për të shkruar për Imelda Prennushi-n sepse falë saj dhe historisë së bujshme të saj kam mbërritur te lidhje të vjetra qytetare, tek i ati i saj, Rrok Prendushi – një personalitet i Shkodrës dhe i Shqipërisë, që falë tij mbërrij deri tek Ernest Koliqi i madh. E mandej gjithçka vjen e më “aktualizohet” duke u lidhur krejt papritmas e gjithë kjo histori me emra të tillë të “rangjeve” apo “hierarkinave” më të çuditshme: Italo Soncini, Ahmet Shqarri, Paulo Muner, Viktor Jubani, Besnik Dizdari.
ITALO SONCINI: Kujtimi i një Pistullori të Shkodrës, ëndërrimi për bregun shqiptar të Adriatikut dhe Imelda Prennushi

Rasti e pat dashtë që në Kongresin e AIPS-së në Stamboll më 1993 të isha në një tryezë me gazetarin e shquar sportiv të Italisë, Italo Soncini – një triestin nobël, përveç të tjerave një personalitet i madh i gazetarisë. Zotni Italo çuditërisht kishte një kërshëri të madhe për të ditur diçka më tepër për Shqipërinë Komuniste që sapo kishte rënë. Ai nisi të më tregonte paraprakisht se si asnjëherë gjatë regjimit komunist nuk ishin lejuar të shkelnin ujërat e Adriatikut shqiptar për gara të ndryshme apo për hulumtime stërvitore të barkave me vela, fushë e cila ishte krejt e tij. “I shkruanim pa pushim Komitetit Olimpik Shqiptar, – më thoshte, – por asnjëherë nuk morëm një përgjigje; e ndërsa u afroheshim fort ujërave shqiptare deri në kufirin detar me Jugosllavinë, e vështronim këtë pjesë ‘të paprekshme’ adriatikase dhe na dukesh sikur ishin ujëra të tjerë, të ndryshëm”
E unë që nisa t’i shpjegoja Italo Soncini-t “specifiken” komuniste të Shqipërisë, teksa ai dëgjonte me vëmendje. Desh të dinte diçka për persekutimet dhe kur unë i tregova se si një personalitet politik i udhëheqjes komuniste madje, i arrestuar për veprimtari “armiqë- sore”, gjatë hetuesisë ishte mbajtur për javë të tana i gjallë në arkivol, ai shtangu, u ngrys dhe një heshtje tronditëse përfshiu gjithë qenien e tij. Mbas pak m’u drejtua po me atë vështrim dhe më tha: “Dizdari, unë nuk të thashë që të më tregoje kësisoj tragjedish duke ma prish këtë mbrëmje të bukur?”. Mandej, mbas pak, teksa e pa që unë u pezmatova disi, u qetësua, vuri buzën në gaz dhe më shtrëngoi krahun me dashamirësi.
Në Trieste, ai kishte njohur një shqiptar të familjes së shquar Pistulli me të cilin befasisht kishin qenë të arrestuar së bashku prej fashistëve! Them se ka qenë detyrimisht i fisit të shquar të të nderuarit shokut tim të paharrueshëm – krenarisë së rinisë shkodrane Ndok Pistulli, nxënësit të shkëlqyeshëm të Gjimnazit të Shkodrës, pianistit 16-vjeçar të operës së parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës, mësuesit të rrallë, kompozitorit të këngës festivaliste të Radio Tiranës, të operës “Rozafa”, volejbollistit të talentuar kampion e të tjerë, e të tjerë. Sa e vogël është bota!… Dhe menjëherë unë që kaloj tek emri i Imelda Prennushi-t – një njohje tjetër e respektueshme e Italo Soncini-t, fort përkuese për mua në atë mbrëmje të pashlyeshme në hotelin madhështor “Tarabia” të Stambollit 1993.Italo Soncini është ndarë nga jeta tre vjet më parë, më 2013, në moshën 93-vjeçare. Ky “dekan i gazetarisë triestine”, siç e përcaktoi shtypi italian, kishte qenë pjesë- marrës i orëve të para të Rezistencës antifashiste italiane dhe si njohës i gjuhës sllovene do të merrte pjesë deri në dorëzimin e trupave të Werhrmacht-it në këtë zonë. I diplomuar në drejtësi i kushtohet gazetarisë, duke qenë gazetar i përhershëm i së mirënjohurës “Il Piccolo”. Më 1947 është një prej themeluesve të Shoqatës së Shtypit Sportiv Italian. Madje për shumë vite ai është dhe president i Urdhrit të Gazetarit të Friuli Venzia Giulia-s, një institucion që Shqipëria jonë ende nuk e ka themeluar për gazetarinë.
Ai nuk mungon thuajse në asnjë Olimpiadë që nga ajo e Romës 1960, si bashkëpunëtor edhe i “La Gazzetta dello Sport”, “Il Tempo”, “La Stampa”. Ndërkohë që deri në ditët e fundit të jetës së tij, është autor librash e dokumentarësh për marinën, për sportet e ujit, të lundrimit apo të atyre të barkave me vela. Tema ishte e ditur: Adriatiku i tij, bregu i dashur istro-dalmatik, të cilin ai vazhdonte ta eksploronte përmes velave”, siç e përcaktojnë. Italo Soncini ka titullin e lartë shtetëror “Cavaliere al merito della Repubblica Italiana”.
E ndjeva disi për detyrë që t’i kushtoja këto radhë kolegut të paharrueshëm Italo Soncini, këtij njeriu të madh të profesionit tonë, teksa përveç të tjerave është njeriu i parë që “më njohu” në largësi me protagonisten e këtij tregimi që është Imelda Prennushi.Falë edhe Italo Soncini-t, kisha mbërritur kështu tek Imelda.
Dy herë kampione e Italisë në basketboll për femra me klubin “Ginnastica Triestina” të Triestes, më 1957 dhe 1958 dhe plot 6 ndeshje të saj me Kombëtaren e Italisë. Kjo do të thoshte se Imelda Prennushi (Prendushi) ishte njeriu i parë shqiptar që kishte arritur të bëhej kampione kombëtare e një shteti të tjetër. Por dhe njeriu i parë shqiptar që kishte arritur të ishte pjesë e një Kombëtareje sportive të një shteti tjetër. Doemos ishte diçka krejt e rrallë, madje e vetme në histori, unike, siç thuhet. E pse jo, edhe një nder për shqiptarësinë, ndonëse Imelda është kryekëput krijim dhe formim jo i sportit shqiptar, por i atij italian. Po a nuk janë krijime dhe formime të huaja, kushedi sa e sa shqiptarë të fushave të tjera, që nuk po i rreshtoj këtu? Dhe të cilët madje Shqipëria i ka nderuar, me tituj e dekorata, me emërtime institucionesh, vendesh e përkujtimesh?
Them se sidomos Shkodra sportive, dhe jo sportive, mund të krenohet edhe me Imelda Prennushi-n si bijë e një familjeje të shquar autoktone të saj që ia arriti të bëhej një basketbolliste europianiste, një nga basketbollistet më të shquara të një shteti tjetër, të madh, në këtë rast të Italisë.
“Njohja ime befasuese me shqiptaren – Kampione të Italisë, Imelda Prendushi”
I kisha folur kolegut Ahmet Shqarri për Imeldën e ai pa pasur mundësi për të bërë diçka, çuditej e kënaqej, ndërkaq pa i shkuar kurrë në mend se në mënyrën më të bujshme e krejt të rastësishme, do të ishte ai gazetari i parë që do të njihej sy më sy me Imelda Prennushi-n.Dhe mû në këtë çast, unë heq dorë prej fjalëve të mia dhe ia lë vendin tregimit befasues të Ahmet Shqarrit – gazetarit të vjetër e të famshëm tashmâ të Radio Tiranës. Tek është këtu tregimi i Shqarrit:

Nga AHMET SHQARRI
“Në fakt, rrënjët i ka shqiptare, me prindër shkodranë, ndërsa vetë është lindur e rritur në Itali, pikërisht në Trieste. Imelda Prenushi-t, sot 78 vjeçe, ashtu si mua këto ditë të para gushti, nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend, ashtu sikurse më tha kur u takuam, se dikush, ndonjëherë, aq më tepër nga Shqipëria, do të interesohej që të bisedonte me te për të shkruar rreth “jetës së saj të harruar sportive”! Ajo që më ndodhi atë pasdite vere ka qenë me të vërtetë diçka e paparashikueshme. Ishte dita e fundit e qëndrimit tim në Trieste, ku kisha shkuar për të pushuar tek ime bijë Kleitia, e martuar atje prej vitesh me Andrea Vengust. Para se të merrja avionin për në Tiranë mendova që të kaloja pak kohë në një prej parqeve të gjelbëruar e të freskët të qytetit, kur në shëtitje e sipër, një zonjë e moshuar e shtatlartë që vinte përballë nesh, me sa duket, duke dëgjuar bisedën me time bijë, na përshëndeti me përzemërsi, ndërkohë që me një buzëqeshje të ëmbël dhe me një zë të butë e të këndshëm na u drejtua me një shqipe interesante, me ca nuanca të veçanta e një timbër shumëngjyrësh që m’u duk se vinte prej kohësh të herëshme. “Më duket se jeni shqiptarë apo më banë veshët kur po flisnit”,- foli zonja që çuditërisht na doli se ishte pikërisht Imelda Prenushi, ajo për të cilën unë kisha pasur shumë dëshirë që ta njihja në ardhjet e mëparshme në Trieste, por pa e pasur asnjëherë mundësinë për t’u takuar me te.Disa herë, kolegu dhe miku im i vjetër Besnik Dizdari, kur mësonte se do të shkoja në Trieste, këmbëngulte që unë të gjeja ndonjë mënyrë për t’u takuar atje me një shqiptare me emrin Imelda Prenushi, që sipas tij, (i cili e njeh historinë e sporteve si askush tjetër), na paskej qenë kampione e Italisë në basketboll për femra në vitet e largëta 50-të. Për ta bërë edhe më të domosdoshëm “gjurmimin” tim në Trieste, Dizdari e përforconte vlerën sportive të personazhit në fjalë, duke thënë se ajo na qenkish e para femër shqiptare që paska luajtur për përfaqë- suesen e një vendi tjetër, siç ishte në rastin konkret skuadra nacionale italiane. Natyrisht, të dhënat ishin mjaft intriguese për ta gjetur mundësinë e një takimi me këte kampione që ishte nga Shqipëria, por siç tregova më sipër, duhej të vinte ajo pasdite e gushtit që ne të takoheshim ashtu rastësisht në atë parkun e gjelbëruar e plot freski të Triestes, që ngjan si një ballkon mbi detin e thellë blu.
Sapo mësova mbiemrin e saj gjatë prezantimit, duke pasur parasysh edhe shtatlartësinë e saj, që pavarë- sisht nga mosha, ende binte në sy, menjëherë e pyeta se mos po flisnim me vetë kampionen e Italisë dhe lojtaren e dikurshme të përfaqësueses axure?!“Po, – m’u përgjigj”, – krejt e çuditur ajo, duke shtuar ndërkohë “se si kishte mundësi që një shqiptar ta dinte këte fakt, që sipas saj, edhe vetë e kishte harruar”?!Pastaj, sikur të ishim marrë vesh me kohë, u ulëm në të parin stol që kishim më pranë dhe për pak minuta, sepse nuk kisha shumë kohë për të qëndruar, ashtu me shpejtësi, pa pasur me vete asnjë gjë për të shkruar apo regjistruar, munda t’i bëja disa pyetje për të zhbiruar më shumë rreth jetës së saj, që ajo Imelda Prenushi, me kënaqësinë se isha i pari shqiptar që po e “intervistoja”, pranoi të më përgjigjej.
I gjithë rrëfimi i saj ishte një lloj malli për të kaluarën e saj të përzier me kujtimet për sportin kur ajo lulzonte si kampione e Italisë me ekipin triestin si dhe për prindërit dhe miqtë e shokët e shumtë që tashmë nuk jetonin. Dhe i shkëlqenin sytë kur kujtonte se që 13 vjeç ishte nderuar me një trofe që e ruante ende si gjë të çmuar, kur e kishin shpallur si lojtaren më të mirë të një turneu moshash. Pastaj kishin ardhur ndeshje të tjera edhe më të forta dhe më të vështira ku Imelda me shoqet e saj të ekipit ishin kurorë- zuar disa herë me titullin kampione të Italisë. Për të mbërritur deri tek ndeshjet ndërkombëtare me përfaqësuesen axure me të cilën luajti ndaj shumë vendeve si Jugosllavia, Polonia… e deri në finalet e një Europiani.E martuar me Carlo Fait, një gazetar i hershëm i “Corriere della Sera”, autor i disa librave, njëri edhe për historinë e Shqipërisë(?!), Imelda solli në jetë katër vajza pa e ndjekur asnjëra prej tyre rrugën e saj në sport, por duke studiuar për mjekësi, arkitekturë dhe fusha të tjera, për të cilat ajo ndjehej krenare. I ati i saj Rroku, kishte mbërritur herët, andej nga fillimi i viteve 20-të, nga Shkodra e tij në Trieste ku ishte marrë në fillim me tregti, derisa më vonë arriti të bëhej edhe konsull i Shqipërisë atje. Imelda u lind dhe u rrit atje në Trieste me prindër shkodranë, për t’u bërë më vonë edhe kampione e Italisë në sportin e basketbollit.
Prej shumë e shumë vitesh, kampionia e dikurshme dhe titullare e formacionit axur, Imelda Prenushi jeton në Milano, por, siç tha ajo, Triesten nuk e harron kurrë, prandaj shkon atje çdo verë me të shoqin, për të kaluar pushimet, siç kishte bërë edhe tani, kur fati e solli që të takohesha me te.
Kaq ishte e gjitha, çka fola me te, dhe për t’mos harruar diçka nga ajo bisedë, sapo zura vend në avionin e linjës Trieste-Tiranë, menjëherë nisa t’i hedh në bllok ato që sapo i kisha përjetuar nga takimi me atë zonjë të nderuar, duke menduar se pas kësaj “historie”, Besnik Dizdari do të ketë më shumë mundësi që ta shkruajë më gjerë dhe më mirë vazhdimin e saj.
Trieste-Tiranë, gusht 2010
X X X
Kolegu Shqarri i shkruante këto mbresa të çmueshme duke më habitur tejet sa për befasinë e këtij takimi, si të rregulluar nga dora e Zotit, e sigurisht nuk do të rrinte pa më sjellë edhe numrin e telefonit të Imeldës.

Tash e kisha radhën unë….

 

PJESA E DYTË
… Tash e kisha radhën unë, falë numrit të telefonit të saj që më kishte sjellë Shqarri. I bie ziles dhe në fillim dëgjoj zërin e bashkëshortit të saj të nderuar, Claudio Fait, e mbas tij Imelda, me të cilën nga italishtja kalojmë në shqip. Këtu befasia ishte e madhe. Se si mund të ndodhte që një njeri, i cili nuk ka jetuar kurrë në Shkodër të fliste një shqipe asisoji, të një shkodranishteje qytetare të pagabueshme, vërtet ishte një mrekulli! Një e folun që të kujtonte zonjat e Shkodrës, të cilat mbasi dilnin nga mesha e së dielës prej Kishës së Fretënve, vërshonin në Piazza-n që ende ndriste, ashtu, të veshura si për festë, teksa vazhdonin bashkëbisedimin e tyre me të folmen që unë po dëgjoja përmes telefonit, prej Imelda Prennushi-t të Triestes.
Nuk mund të rrija pa e pyetur se si ishte e mundur kjo e folme pa jetuar asnjë ditë në Shkodër. “Mama ime, – më thotë, – shqipen e kam prej të folunës së mamës sime”. E dëgjoja dhe për një çast nuk arrija të përqendrohesha se si ishte e mundur që kjo shkodrane autentike me këtë të folun të linte përshtypjen si të ishte larguar po atë ditë nga Shkodra, edhe pse pa jetuar asnjë ditë në këtë qytet. Madje lindë, rritë e formuar në Itali, shkolluar atje, e formuar si sportiste atje, çka në thelb nuk ishte një shkodrane me të cilën unë po flisja për bukuri, por një intelektuale dhe basketbolliste e Kombëtares së Italisë!
I thashë qartë se dëshiroja të shkruaja për të.
Nuk e priste këtë dhe natyrisht në këtë moshë e quante gjithçka të arkivuar tashmâ dhe madje unë pata bindjen se me modestinë e saj të rrallë nuk kishte asnjë lloj ambicieje për tregime, shkrime apo vlerësime. Ndonëse papritmas, teksa do të gjurmoja, do të gjeja se tash së voni, kampioneshat basketbolliste të “Ginnastica Triestina” qenë mbledhur dhe kishin kujtuar tre titujt e tyre të viteve 1956, 1957, 1958. Do të gjeja madje një foto që po ia bashkëngjis këtij shkrimi, poshtë së cilës ishte kjo diçiturë: “Imelda Prennushi dhe Lina Nunzi po kujtojnë tre titujt kampionë ’56, ’57, ’58”. Për një çast të dukej një foto krejt “antike”, ndonëse gjithçka ishte njëkohësisht moderne, teksa kampioneshat e gati 60 vjetëve më parë, me mikrofon në dorë, të thinjura krejt, por ende shtatdrejtë si dikur, tregonin me një gjallëri gati rinore…
Do të ishte ndërkaq njohja me Paolo Muner-in në Panairin e Librit në Tiranë, saktësisht blerja prej meje e librit të tij me plot vlera “Shpnesa e Shqypnis – Shqiptarë të Trieshtit” – “La speranza dell’Albania – Albanesi di Trieste” në shqip dhe italisht, që personazhi i Imelda Prennushi-t t’i afrohej edhe më fort synimit tim për tregimin e plotë të kësaj historie të rrallë. Zotni Muner merr përsipër të kontaktojë përsëafërmi e tashmâ lidhja bëhet edhe më konkrete..
E, Paolo Muner, – oficer i Marinës Detare Italiane me shërbim për tri vjet në Shqipërinë e viteve ’90 – një triestin nobël, me qytetarinë dhe kulturën e tij i ka blatuar Shqipërisë tre libra të rrallë, botuar prej “Botime Jozef” të Durrësit, përmes të cilëve, si të thuash prej valëve të detit jetëson barkat e anijet e hershme ulqinake, durrsake e shkodrane, shkon te historia e flamurit të Shqipërisë dhe ia arrin të kalojë deri dhe te tema kësisoji të marrëdhënieve qytetare e kulturore Shqipëri – Itali të dy shekujve të shkuar e deri te ditët e sotme. Çka libri i mësipërm them se është një vepër dokumentuese krejt origjinale për kah tema i hulumtimeve të tij, ku me një përimtim prej historiani, ai zbulon thuajse gjithë Triesten mikpritëse të shqiptarëve. Shkruan Muner:

“…Natyrisht janë aty janë edhe Prenushët, po shkodranë, prej të cilëve të parët mbërritën vëllezërit Lazër e Rrok, ky i fundit edhe Konsull Nderi i Shqipërisë (nga 1934 deri më 1939)…

Merret me mend: kthimi mbrapa gjithnjë është i nevojshëm. Kujtoj se si pak mbas ndarjes nga jeta të babës sim Gani Dizdari, kur nëna ime, Kudret, tha: “Tash që vdiq Ganiu, erdhën ilaçet nga Prendushi i Triestes”.
Ka qenë 1956, vit i titullit të parë Kampion i Italisë e një shkodraneje të Triestes që quhej Imelda Prennushi, po në Shqipërinë Komuniste natyrisht vdisnin njerëzit edhe për mungesës të ilaçeve, çka megjithatë nuk mund të them se plotësisht i këtij rasti mund të ishte prindi im. Aq më tepër që përditë ai kishte te kryet kunatin e tij, dajën tim të paharrueshëm, fisnikun e madh të Shkodrës, Dr.Bahri Koplikun e famshëm (baba i zëvendëskryeministrit të mëparshëm të Shqipërisë, Bashkim Kopliku) emrin e të cilit mban sot Poliklinika e Shkodrës.

Them se ky Prennush i Triestes nuk mund të ishte dikush tjetër përveçse Rrok Prennushi, i ati i Imelda Prennushi-t. Nuk do të ketë qenë fort e lehtë me u lidhë asokohe me Prenushët në Trieste, por nevoja s’ka ligj. Baba im duhet të ketë pas miqësi me Rrok Prennushi-n. Aq më tepër që i gjej të dy si nxënës të Kolegjës Saveriane, në botimin e çmueshëm të librit për 50-vjetorin e kësaj shkolle. Madje, përveç rreshtimit në listën e 2691 nxënësve, botuesi i ka përfshirë të dy në kapitullin: “Vargu i ish kolegjarve qi u dane në shêj në jetën publike”, siç titullohet.

Dhe sot më duket një fakt krejt i pazakontë që midis 2691 nxënësve të 50 vjetëve të Kolegjit Saverian (1878-1928), gjej edhe 157 nxënës të familjeve të besimit islam. Kjo ka qenë Shkodra e një bashkëjetese shembullore fetare, madje mû në një kohë kur dy besimet ishin ndoshta në një kulm veçansie apo veçorie. Dhe është ndërkaq mjaft interesant fakti që ky 50-vjetor i vitit 1928 organizohej nën patronazhin e vetë Mbretit Zog, e kur ndër krerët më të parë të Komitetit të Nderit të këtij patronati jubilar të 50-vjetorit ishte as më shumë e as më pak, por edhe vetë Faik Konica i madh, përveç të tjerave ndër të parët nxënës të Kolegjës, qysh më 1884!

Shkruan Paolo Muner në librin e tij të sipërpërmendur:

“… Rrok Prennushi u lind më 1889 në Shkodër ku frekuentoi edhe Kolegjin Saverian. Më pas shkoi të plotësonte studimet në Vjenë ku u diplomua në ‘Handels und Gewerbe Museum’. Në Trieste ishte sipërmarrës i suksesshëm dhe kreu i një familjeje tejet të vlerësuar e të shumtë në numër. Vdiq në Trieste më 1971”.

Natyrisht heshtja do ta mbulonte ndarjen nga jeta të Rrok Prennushi-t në Shqipërinë e vitit 1971, edhe pse ai kishte qenë Konsulli i shquar i Shqipërisë në Trieste!…

Për konsullin Rrok Prennushi nuk hesht Ernest Koliqi

Rrok Prennushi është ndarë nga jeta më 15 janar 1971. Dhe merret me mend se nuk mund të heshtte Ernest Koliqi në të famshmen revistë të tij “Shêjzat”. Shkrimi i tij kushtuar lamtumirës së Rrok Prennushi-t, babës së Imeldës, është shembullor. Shembullor për kah besnikëria biografike, për kah stili po e po; e si në të zakonshmen e shkrimeve të tij, krejt i veçantë edhe për kah vlerat gjuhësore e deri në imtësinë aq të pasur të drejtshkrimit të gegnishtes moderne të një Koliqi. Në një vështrim madje, kjo nuk është mirëfilli një nekrologji, por përshkrimi, ndonëse i shpejtë i një jete të qytetarisë shqiptare në mërgim që mbërrin deri te marrëdhënie të ndërsjellta me emra të spikatun të kësaj qytetarie, me një Emzot Vinçenz Prennush, me një Mustafa Krujë, me një Shuk Gurakuq. Në fund të fundit, me një jetë tjetër që është ajo e diasporës apo e emigracionit të pasur e të larmishëm qytetar shqiptar, që për fat ende nuk njihet as sot në vendin âmë…

E gjej të botuar pra te “Shêjzat” Nr. 1-3, janar-mars 1971 shkrimin e Koliqit dhe po e ribotoj për herë të parë në shtypin e Shqipërisë, pa asnjë ndryshim a shkurtim, këtu në”Panorama Sport”-in e datuar 2016, që i thoshkan mbas bukur plot 45 vjetëve:

Rrok Prennushi ndrroi jetë

Nga ERNEST KOLIQI

“Me 15 kallënduer 1971 u ndá këso jete Rrok Prennushi, nji zotni shkodran i njoftun n’atdhé e përjashta. Mâ të shumtën e kohës Ai e kaloi në vend të huej, ku merrej me tregti. Por tue ndjekun traditën e tregtarvet shqiptarë mâ të ndritun, qi lanë gjurma në zhvillim përparimtar të vendit, tregtija nuk e pengonte, përkundrazi e nxitte, me përkrahë çdo nisjativë të dobishme për Shqipni. Ndiqte me kujdes nëpër fletore e të përkohëshme çdo ndodhje në lidhje me jetën shqiptare. Për disa vjet përfaqësoi në Trieshtë edhe Shtetin t’onë si konsul nderi. Trieshta qe vendi ku nguli banesën e vet dhe ku Ai njifej dhe ishte në të vërtetë si nji institucjon rreth të cilit vërtitej çdo punë përkitazi me Shqipni e Shqiptarë.

Rrok Prennushi lindi në Shkodër me 14 korrik 1889, ndoq shkollën fillore e institutin tregtar në Kolegjin zâmadh Saverjan. Me 1908 fitoi nji bursë studimi e shkoi në Vjenë ku u diplomue në Handels und Gewerbe Museum, shkollë tregtare në zâ e kryeqytetit austriak.

Si kreu studimet, i u shtrue punës me zéll në bashkëpunim me vëllán Lazër qi pat jetën e shkurtë. Përpjekja e pandërpréme, cilsit e rralla parapámjeje e mbarshtrimi,0 por sidomos ndershëmenija e përpikët, qi fitonte besimin e rretheve tregtare, e ndihmuen z.Rrokun për të zânë nji pozitë me randësi në Trieshtë, skelë deti ku zhvilloheshin shëndrrimet mallnash t’Adriatikut e t’Europës Qandrore. Zgjânim të madh muer veprimtarija tregtare e Tij edhe në qytetet kryesore të Shqipnis, të cilat shpesh pat rasë t’i vizitojë, i pritun kudo me sympathi të veçantë për natyrën e âmbël qi e dallonte.

Në Trieshtë pat si zyrtar të firmës së vet për do kohë edhe deputetin e njoftun Shuk Gurakuqin, nji ndër eskponenta politikë të Shkodrës e drejtuer i fletores “Ora e Maleve”. Shukun, intelektual në shêj si për ndjenja të flakta atdhetare ashtu për karakter moral të papërkulëshëm, Prennushi e mbajti pranë vetes në vjetët qi Ai kaloi në mërgim. Nëpërmjet Shukut u miqasue shum edhe me Mustafa Krujën, qi nga Zara shkonte shpesh në Trieshtë.

Me Rrok Prennushin zhduket nji ndër përfaqësuesa mâ autentikë shqipetarë qi themelojshin jetën në kultin e Perendis, të votrës shtëpijake e t’atdheut. Në Tê mishnohej esenca e vërtyteve tipike të rodit t’onë: urtija, nderi, burrnija, mikpritja. Fjala e Tij e peshueme e e matun siellte sqarim dhe fashitte shpirtnat në çdo takim e bisedim.

Atdhedashunin e kishte traditë në farefis. Ishte kushri i Emzot Vinçenz Prennushit, poetit e shkrimtarit të sqimët e muzikuer, qi nji fat tragjik kapërdini në lulëzim të fuqive krijimtare. Të gjitha nismet me qellim naltësimi kombtar, z. Rroku i përfilli e i përkrahi jo vetëm me mjete financjare por tue marrë pjesë gjallnisht në zhvillim të tyne e, kur mujte, edhe me pranin e vet dhe me orvatje vetanake. Nuk i a kursej mbështetjen kurrkuj. Ai qi trokllonte në derë të Tij gjênte ngushullim ndihmash dhe udhëzimesh e sidomos frymën miqsore qi nalton moralin.

Miqt e dashamirët e njohin nxehtësín e pashoqe të ndiesive të Tija familjare. Shembull Ai ishte si bashkëshort, si prind, si gjysh, si ilaká. Ndër festa, për Këshndella e për Pashkë, në vjetët e fundit rrethohej nga tuba e lumnueshme e farefisit. Flokbardhë, me buzë në gaz, tue mbajtë në prêhen nipat mâ të vogjël, qindronte në mes tyne dhe në fytyrë i reflektohej kënaqja e shpirtit. E ata të njoftun qi kishin fatin m’u gjetë pranë në këto mbledhje patriarkale, thithëshin n’atë ambjent âmen e traditave të shëndoshta shqiptare, frymën jetike të motit kur zjarrmi i votrës kishte nji kuptim dhe në krye të vendit plaku i shtëpis ngrehej, sidomos në vend të huej, si nji symbol i trashigimeve mâ bujare të kombit.

N’at atmosferë nipat e vogjël, tue e rrethue dashunisht gjyshin, ndikoheshin padashtë nga parimet e nderit qi Plaku fisnik përhapte rreth vetes. Sigurisht, kur të rriten e të burrnohen, ato përshtypje të thadrueme në kujtim ç’prej moshës mâ të njomë, do t’u vyejnë për me ecë pa shmangie në hullí qi i Ndiemi çeli e rrahi gjatë shtegtimit në kët shekull.

Përsjellja e përmotshëme në Trieshtë u krye me nderim të dalluem. Të njoftun triestinë adsistuen në salikime bashkë me kolonin shqiptare vèndase dhe me Shqiptarët e ardhun nga vise të tjera për t’i dhânë përshndetjen e fundme Mikut e bashkatdhetarit.

Drejtorija e Redaksija e Shêjzave, qi Rrok Prennushin e njehen ndër përkrahsa të vazhdueshëm të së përkohshmes, U paraqesin bashkshortes Zoja Luçi, të Bijve e së Bijës, nipave e mbesave dhe mbarë gjakut e gjinis, përjashta e n’atdhé, shprehjet mâ të gjalla e të ndieme përdhimbtimi, me urimin qi t’i përsjellin ndër gëzime mbas sodit”.

“Shêjzat”, Nr. 1-3, janar – mars 1971

prenushi 4

X X X

Ky ishte konsulli Rrok Prennushi dhe Prennushët.

Vështroni tash një prej fotove të këtij kapitulli tonin. Do ta quaja “At Gjegj Fishta midis Prennushëve”. Qofsha i gabuar, por them se kjo mund të jetë ndër fotot e fundit e Fishtës para se të ndahej nga jeta. Kjo foto që ma dërgon shoku im i vjetër, i mirënjohuri Viktor Jubani – djali i tezes së Imelda Prennushi-t – i përket pra vitit 1940. Duket që është verë, çka do të thotë vetëm 4-5 muaj nga lamtumira e Fishtës (30 dhjetor 1940). Të pranishmit janë fotografuar në Bogën piktoreske të ajrit të pastër të Alpeve para shtëpisë së Zef Prennushit. Këto kanë qenë familjet e Shkodrës, të vilave qytetëse rrethue me kopsht e bahçe po e po, por dhe të atyre alpine vetëm disa kilometra mbi Shkodër. Në foto, nga e majta, janë: Zef Shuli – daja i personazhes sonë Imelda – asokohe student në Trieste. Mbas tij është Gaper Ljarja – njeri i shquar i arsimit kombëtar. Mandej është Gjyljana Prennushi (Shuli) – bashkëshorte e Zef Prennushit dhe tezja e Imeldës. Mbas saj është shkrimtari ynë i madh Ernest Koliqi dhe mbas tij Zef Prennushi i zoti i shtëpisë – një ndër themeluesit e filatelisë shqiptare. Dhe, në mes të tyre, i ulur At Gjergj Fishta, “në bash të vendit”, siç do të thoshte vetë Patër Gjergji. Dy kolosë të letërsisë shqiptare të dy brezave të fillimit dhe vazhdimit të saj të Shekullit XX midis Prennushëve të Imeldës!

Shihni se si pleksen e zgjerohen ngjarjet kësisoj edhe kur në epiqendër mund të kesh sportin apo sportistët. Në jetën time profesionale gjithnjë jam përpjekur që këtë fushë të veprimtarisë njerëzore ta shoh në vetë jetësinë e kombit. Nuk është një origjinalitet, megjithatë. E kam mësuar prej të mëdhenjve të gazetarisë dhe historisë së kësaj fushe. Për fat në Shqipëri në të shumtën, ose me pak përjashtime, sporti çuditërisht ka qenë dhe vazhdon të jetë si diçka e veçuar prej jetës tjetër, si një lloj gjinie më vete – e i tillë është për kah origjinaliteti i tij – por ta konsiderosh atë kësisoj të veçuar apo të ndarë nga jeta dhe kultura tjetër shqiptare, është një gabim i madh. Këtu, mendoj se sporti shqiptar ka marrë një goditje deri te një nënvleftësim që vazhdon edhe sot.

Në rastin e këtij tregimi, prapë them se lexuesi e kupton se si një Imelda Prennushi e Triestes dhe e Shkodrës vetvetiu të ndihmon për të mbërritur tek ato vlera të historisë qytetare të familjeve të harruara shqiptare sot e kësaj dite, ndonëse ato bënë jo pak në nderim të emrit të Shqipërisë, qoftë nga afër, qoftë nga larg. Të mos rrêhemi. Shqipëria aspak ose shumë pak njeh sot jetën, veprimtarinë e mijëra e mijëra – e mund të mbërrijnë deri në qindramijë – të shqiptarëve që jetuan jashtë, shumica të anatemuar, sidomos gjatë regjimit komunist.

Më mbeti në mendje një libër me titullin “La Zedda e la Dinastia dei Balsidi” i autorit dalmatin Giuseppe Gelcich. Më kishte shpë- tuar fakti se ky libër i jashtëzakonshëm i 117 vjetëve më parë (1899) për të cilin nuk flet askush sot në Shqipëri, më 2009 ishte botuar në shqip prej Shtëpisë Botuese “55” të Tiranës, përkthyer nga Laura Leka, të cilën nuk e njoh, por që ia ka arritur ta japë në një shqipe të qartë e të rrjedhshme, ndonëse libri në origjinalin italisht nuk është aspak i lehtë për t’u përkthyer. Dhe me vetëm një vërejtje: nuk e kuptova përse ka mbet jashtë botimit faqja e pemës gjenealogjike të Balshajve, çka botimi origjinal në italisht e përmban. Pa e zgjatur, përveç shumë e shumë të tjerave të kësaj historie edhe shqiptare e shekujve XIV-XV, nënvizova fort këtë mendim me të cilin e mbyll librin e tij Guiseppe Gelcich, teksa përcakton si “një epokë fatale ajo që i takoi Shqipërisë mbas shekullit XIV”, çka, siç shkruan Gelcich, pra:

“… I detyroi mendjet më të mira (shqiptare) të merrnin rrugën e mërgimit përgjithmonë, për të kontribuar për t’u dhënë shkëlqim moral e material qyteteve të ndryshme të bregut dalmatin, ku shqiptarët gjetën mikpritje vëllazërore e të qëndrueshme, si dhe punë fisnike. Sa e sa familje që, sot e quajnë veten dalmatine, a nuk zbresin pikërisht nga të mërguarit e atyre kohëve! Sa e sa punë, që sot shumica i quan art dhe vepra dalmatine, nuk janë tjetër gjë veçse krijime e vepra të gjeniut dhe të mjeshtërisë shqiptare”.

Rrallë ndokush i ka bërë një nder kaq origjinal shqiptarësisë mërguese sa këto fjalë me të cilët mbyllet libri i Gelcich-ut.

IMELDA PRENNUSHI: një kombëtarase e shquar e Italisë nga Shkodra
E, Triesta është maja e bregut dalmatin.
Këtu hyn dhe historia jonë me Imelda Prennushi-n dhe familjen e saj. Dhe, në një botim italian, sot gjej për të këtë përkufizim lakonik:
“Prennushi Imelda
Lindur në Trieste më 23 prill 1932.
Ka luajtur përherë me klubin ‘Ginnastica Triestina’, duke u bërë kampione e Italisë me fanellën bardhekaltër në vitet kur ‘Ginnastica’ ftoi ‘scudetto’-t 1955-’56, 1956-’57 dhe 1957-’58.
Currculim-i i saj nën ‘azzurro’-t përfshin edhe 6 ndeshje me Kombëtaren e madhe: ka luajtur për herë të parë me të më 2 dhjetor 1958 në Udine në takimin me Poloninë; ndeshjen e fundit e ka zhvilluar me Kombëtaren më 6 qershor 1959 në Beograd kundër Jugosllavisë”.
Thjesht, qartë, si të thuash telegrafikisht.
Po a ishte kaq e thjeshtë dhe “telegrafike” jeta sportive e Imelda Rrok Prennushit?

Këtë, me të gjithë befasinat e ndodhura, do ta tregojmë edhe përmes kujtimeve të saj, në pjesën e tretë të këtij “romani” të një jete sportive…

(vijon) KAPITULLI III

Universitare, intelektuale – e madje ashtu si dhe bashkëshorti i saj i nderuar, autori dhe publicisti Claudio Fait, edhe ajo paksa njeri i të shkruarit – Imelda Prennushi, basketbolliste kampione e Italisë si dhe anëtare e Kombëtares së Italisë, është një nder i kulturës qytetare e sportive bashkë, si për Shkodrën e si për Shqipërinë. Dhe ne që e patëm “zbuluar” emrin dhe famën e saj mbas nja 50 vjetëve të Pasluftës! Ndonëse e kishim pasur te dera e shtëpisë, aty lart bregut të Adriatikut që është dhe i yni, në Trieste…
Mund të stërhollohesha e të rrëmoja disi në mënyrë të shpërndarë, por nuk mund të ketë më kuptim sesa kur gjithçka e tregon vetë protagonistja Imelda.
E shkruar përmes një modestie shembullore, me kulturë e rrjedhshmëri prej intelektualeje të klasit të parë, tregimi i saj lakonik në veçimin e vetë esencës së jetës së saj sportive është po shembullor.

Imelda Prennushi – kjo kombëtarase e shquar e Italisë nga Shkodra, të cilën Shqipëria e saj po e njeh për herë të parë përmes këtij shkrimi të “Panorama Sport”, përbën pa dyshim një italiane të shquar për kah formimi e veprimtaria e po aq një shqiptare të madhe të sportit (dhe jo vetëm) për kah gêni shqiptar i talentit, për kah prejardhja e një qytetarie nobël dhe “antike”, do të thosha, të Shkodrës. Për fat edhe të një Shqipërie, e cila ashtu siç veproi me shumë e shumë familje shqiptare në mërgim, kjo Shqipëria 1944-1991, assesi nuk desh t’ia dijë. Them me bindje të plotë se nuk mund të ketë pasur shtete të tjerë në botë që të silleshin me kësisoj heshtjesh të qëllimshme ndaj bashkëkombësve të familjeve më fisnike të tyre e të arritjeve të mëdha. E tash, ja çka tregon Imelda Prennushi posaçërisht për ne, teksa tregimit të saj ajo i vë titullin emocionues, kuptimplotë dhe me zemrën atdhetare që i rreh fort: “… Si ndodhi që një vajzë shqiptare të bëhej kampione e Italisë dhe të luajë me kombëtaren italiane të basketbollit?”:

“… Si ndodhi që një vajzë shqiptare të bëhej kampione e Italisë dhe të luajë në kombëtaren italiane të basketbollit?”

Nga IMELDA PRENNUSHI

Prindërit e mij ishin nga Shkodra, e baba i im, Rroku, e kishte atje qendrën e ndërmarrjes së tij tregtare, ndërsa nëna ime Luçe kishte shumë motra. Gjithmonë për shkak të punëve të babës ne kishim shtëpi edhe në Trieste. Në këte qytet më takoi mua që të lindnja më 23 prill 1932, dhe pikërisht këtu 13 vjet më vonë, unë do të filloja të luaja basketboll. Dhe që vendi ku më lindi ky pasion do të ishte një kolegj murgeshash, “Notre Dame de Sion”, kjo mund të duket e çuditshme, ndonëse jo dhe aq: shkolla kishte një palestër dhe një skuadër vajzash, më të mëdha se unë dhe më të zojat, të cilat më 1942 kishin fituar kampionatin e basketbollit midis shkollave të qytetit. Dhe kështu, duke parë të luanin shoqet e mia, vetvetiu më dridheshin këmbët, ndërsa më tërhiqte aq fort koshi i vendosur dy metra lart nga toka në të cilin përfundonte topi. U përfshiva në skuadër dhe mandej, saktësisht më 5 tetor 1946, nën emrin F.A.R.I – një shoqëri sportive katolike – ne fituam turneun e “Promozione Regionale”. Thonë se dashuria e parë nuk harrohet kurrë, por unë shtoj: edhe medalja e parë sportive, sidomos kjo që unë fitova në këte rast, nuk mund të harrohet kurrë…
Lufta sapo kishte përfunduar, dhe thuajse i gjithë metali ekzistues ishte destinuar për armët, e ndoshta nuk ishin as paratë për t’u shpenzuar për nderime kësisoji. Kështu, ajo që m’u dorëzua gjatë ceremonisë së fitores, ishte një medalje prej kartoni. Nuk e kam për humor: ishte një prerje gjashtëkandëshe prej kartoni të mbështjellur me letër varaku mbi të cilën me penel ishte vizatuar dhe gdhendur topi i basketbollit dhe data (8 tetor 1946). E gjitha “e rafinuar” kështu dhe e vendosur në gjoks përmes një fjongoje tringjyrësh. A mund të them se për mua kjo është medalja me vlerën më të madhe që unë kam fituar? Them se po. Ky ishte fillimi im në botën e basketbollit.

U zgjata paksa duke kujtuar, po shpresoj se kuptohet që e tregova ngaqë emocionet dhe entusiazmi që një vajzë 14-vjeçare përjetonte kësisoji duke përuruar “karrierën” e saj me këte fitore, janë sot e ksaj dite të gjalla dhe të pashlyeshme në kujtesën time. Mbas këtij fillimi pra, basketbolli hyri përfundimisht në 14 vitet e ardhshme të jetës sime, duke kaluar nga skuadra F.A.R.I te “Societa Ginnastica Triestina” – shoqëri kjo e lavdishme qytetare, themeluar qysh më vitin 1863; me fanelën e së cilës unë mora pjesë në kampionatin për hyrje në Serie A, duke fituar një vit më vonë (1949-1950) në më të lartën kategori, vendin e katërt dhe duke u ngjitur dy vjet më vonë në vendin e dytë. Ndërkaq, ne fitojmë turneun e Marsejës, një tjetër në Napoli, duke arritur deri te fitimi i vendit të parë në turneun e femrave në Porto San Giorgio dhe të dytin në atë europian të Brukselit.

Më 1953 skuadra pëson një ndryshim brezash: largohen më “të vjetrat”, dikush për t’u martuar, dikush për të kaluar në skuadra të tjera, ndërsa unë kalova nga fanela me numrin 13 tek ajo 4, që do ta mbaja për gjithë karrierën time; madje duke u bërë kapitene e një formacioni që përbëhej prej dymbëdhjetë vajzave shumë të reja, ato me të cilat do të ndaja më mbas gëzimet dhe zhgënjimet që kurrë nuk mungojnë në sport. Megjithate “cursus honorum” i skuadrës po bëhej gati të fillonte: më 1954 fitojmë vendin e tretë në Kampionatin kombëtar të Serie A, një vit më vonë zbresim në të katërtin, por fitojmë vendin e dytë në turneun e Faenza-s, të katërtin në turneun ndërkombëtar të Brukselit, të parin në Turneun e Rezistencës në Torino, ku unë u intervistova për herë të parë në TV të RAI-t, dhe së fundi zejmë vendin e katërt në turneun e Lecce-s.

Më 1956, më në fund fitojmë gjithçka dhe ngjitemi në krye të renditjes së Kampionatit Italian të basketbollit për femra, çka do të thoshte që unë, një vajzë shqiptare, në këte vit u bëra kampione e Italisë! Kështu, fillojmë të shihemi me vëmendje, duke u admiruar për lojën dhe të imituara madje për përdorimin e mënyrave të para të përimtimit statistikor të të dhënave të përdorura përsëpari prej trajnerit tonë (pasimet, prania dhe pozicionet në fushë, mënyrat e shënimit të koshave e të tjera), edhe pse për shkak të mundë- sive të pakta financiare të Shoqërisë, skuadra nuk kishte arritur të përballonte koston e kampionatit të ri. Nuk mbetej gjë tjetër përveçse të kërkonim një “sponsor”, çka për fat do ta gjenim shumë shpejt tek firma “Stock”, fabrika e mirënjohur e pijeve në Trieste. Kjo nuk do të thoshte se po hynim në një profesionizëm të vërtetë, pra ende mbeteshim një skuadër thjesht diletante, përderisa në këte periudhë kur sapo veshnim fanelën e re, nuk morëm kurrnjiherë as rrogë, as çmime (premio) për fitoret, por vetëm rimbursimet për shpenzimet e udhëtimeve. Në këte periudhë skuadra ndërroi emër duke u quajtur “Pallacanestro Stock”, dhe tashmâ ne, të pjekura në lojën tonë, e nderuam divizen e re me fitimin e titullit të dytë të kampionit më 1957 dhe të tretin radhazi më 1958. Por as këto suksese – dhe këte e them kur mendoj se sa fitojnë sot lojtaret e basketbollit – nuk e ndryshuan kursimtarinë tradicionale të sponsorit tonë, qoftë dhe në dhuratat e dhëna në fund të kampionatit me titullin e fituar. (Unë për shembull, në vitin e parë mora një aparat fotografik Condor që u prish shpejt, në titullin e dytë një valixhe të vogël dhe në titullin e tretë një bylyzyk prej zinxhiri me skalitjen e emrit tim!).

Si pasojë e këtyre sukseseve natyrisht që shumë prej nesh do të thirreshin të bënin pjesë në skuadrën kombëtare. Unë madje, jam thirrë për herë të parë më 1952 me rastin e Kampionatit Europian që zhvillohej në Moskë, por nuk munda të shkoja sepse Federata zbuloi se përderisa nuk isha italiane, nuk mund të shkoja. Turp i madh dhe zili e madhe, ndonëse disa shoqe të mia do të më sillnin si dhuratë ngushëlluese një kuti – kujtim i dhuruar prej ruseve – me pudër për fytyrë, buzëkuq dhe parfum – të gjitha krejtësisht të dala mode në Itali. Sidoqoftë, qysh prej këtij viti do të duheshin edhe gjashtë vjet të tjera që unë të merrja nënshtetësinë për të bërë të mundur, ate që më është thënë, që qenkam shqiptarja e parë pjesë e një kombëtareje të huaj.

Deri këtu kujtova veprimtarinë time në fushën e basketbollit, por për krenari personale dhe për plotësim të informacionit, do të doja të shënoja edhe ndonjë të dhënë rreth veprimtarive të tjera të mia sportive.

Kam filluar të luaj tenis më 1946 dhe tre vjet më vonë fitova titullin e kampiones për femra si individë në Kampionatin Rajonal të Junioreve, ndërsa në Genova mbërrita deri në gjysmëfinalen e kësaj disipline për Kampionatin Italian të kësaj moshe, duke mbyllur karrierën në grupin e parë të kategorisë së tretë të renditjes kombëtare. Në ski kam marrë pjesë në Kampionatin universitar të Italisë në Cortina d’Ampezzo, duke zënë vendin e katërt në sllallomin gjigand, të pestin në sllallomin special, të dhjetin në lëshimin e lirë. Ndërkohë, në kampionatin triestin të këtij viti kam zënë vendin e dytë në garën e lëshimit të lirë dhe të pestin në sllallomin special. Dhe për ta mbyllur curriculum-in tim personal, po përmbledh medaljet: 3 medalje të arta si Kampione e Italisë, 4 medalje të arta për praninë në kombëtaren e basketbollit, dhe tipe të tjera medaljesh për pjesëmarrjen në turnetë e Udine, Venezia, Zara e Messina si dhe në renditjet në gara të kampionateve të tenisit dhe të skive alpine.

Imelda Prennushi – një kampione e madhe

Siç shkrova numrin e kaluar pranë fotos së Imeldës 5-vjeçare, në qendrën alpine të Bogës së Shkodrës më 1937, është vërtet diçka e jashtëzakonshme kur mendon se kjo vogëlushe e Shkodrës do të bëhej kapitene e kampione e Italisë në basketboll, titullare e “Nazionale”- s, siç po më pëlqen ta shkruaj në italisht. E, për shkak të plot trilleve të ligjeve apo normave të një shteti, gjithë këtë ajo e arrin jo pa peripeci, siç e tregoi edhe vetë.

Do t’i duhej të përballej me ligjin italian të shtetësisë. Mandej do të gëzohej për nënshtetësinë e saj deri dhe vetë revista e mirënjohur “Pallacanestro”, e cila më 1957 do të botonte plot gëzim këtë artikull të shkurtër njoftues me titullin “Imelda Prennushi u bë italiane”!

Shkruan “Pallacanestro”:

“Prej disa ditësh lojtarja e “Ginnastica Triestina”, Imelda Prennushi, ka marrë nënshtetësinë italiane. Kapitenia e bardhekaltërve, duke qenë me origjinë shqiptare, konsiderohet pa nënshtetësi, por duke qenë se ka lindur në Trieste (23 prill 1932) konsiderohet plotësisht italiane. Pozicioni i saj si e panënshtetësi e pengonte për të veshur fanellën “axxurra” dhe për pak mund t’i kushtonte deri dhe mundësinë për të vazhduar për të luajtur me “Triestina”-n e saj, sepse FIP (Federata Italiane e Basketbollit) vendosi që të ndalonte të luanin lojtare të huaja në kampionatet italiane. Tash, duke qenë se statusi i saj u rregullua, drejtuesit e Kombëtares mund të mbështeten edhe te një element tjetër i vlerave të vërtetuara si dhe të një përvoje po të mirënjohur”.

Siç shihet në këtë “dokument”, ne gjejmë ndërkaq edhe përcaktimin pa mëdyshje të vlerave sportive të Prennushi-t.

Çfarë lojtareje pra, ka qenë Imelda Prennushi?

Duket se asaj vetë nuk i pëlqen fort të përshkruajë cilësitë e saj si basketbolliste. Mjafton të rikujtojmë se Imelda Prennushi, përveçse është kampione titullare e Italisë në tri kampionate, është dhe lojtare e Kombëtares së Italisë. E, ndërkaq, nuk mund të harrohet se ka qenë teniste dhe skiatore, pra ndonëse e përkushtuar në basketboll, ajo arrin të fitojë kupa e tituj, qoftë dhe modestë, edhe në këto dy sporte.

Është vërtet kuptimplotë ajo që i blaton revista e sipërcituar përmes një analize të shkrimit të autorit Z.M.Zitti mbas fitimit të kampionatit italian të vitit 1957:

“Paraqitjen e saj mund ta quajmë të shkëlqyeshme… Në kapjen e topit në mbrojtje ajo e ka kaluar qartë Mirella Tarabocchia-n, duke vendosur madje rekordin në kapjen topave në sulm, ndërkohë që në gjuajtjet ka qenë më se e arrirë… Dhe ndjehet e lumtur për nënshtetësinë italiane, çka do të thotë se tash e mbrapa ajo do të jetë një lojtare shumë e rëndësishme për kombëtaren tonë”.

Tri vjet më parë, më 2013, është ndarë nga jeta Ferruccio Ghietti, 89 vjeç – një fenomen i madh i sportit italian. Është trajneri i tre titujve (së bashku me Emanuele Guarini) të “Ginnastica Triestina” të Imelda Prennushi-t. Ghietti është trajneri i parë i basketbollit italian që për analizën shkencore të një ndeshjeje basketbolli, ai përdori shtjellimin statistikor të të dhënave teknike për kampionet e tij: Prennushi, Benevol, Magris, Martinoli, Nunzi, Persi, Relli, Tarabocchia, Vascotto, Zidane, Maraspin, Sossi, Benevol, Tonini. Dhe Imelda Prennushi ishte pa dyshim ndër më të parat e 23 lojtareve që Ferruccio Ghietti i dha Kombëtares së femrave të Italisë në basketboll.

Imelda është thirrur pra, në Kombëtaren e Italisë qysh më 1952 për Kampionatin Europian të Moskës kur ishte vetëm 20 vjeç. Por, me Italinë, ajo ka luajtur për herë të parë vetëm mbas 6 vjetëve kur ishte 26 vjeç! Kjo pengesë që vinte prej peripecive të përfitimit të nënshtetësisë, i ka hequr karrierës së saj plot 6 vjet ndeshje me Kombëtaren e Italisë. Nuk arrijmë të marrim me mend se si do të kishte qenë karriera e plotë e Imeldës nëse ajo do të luante edhe 6 vjetët e periudhës 1952-1958. Se çfarë basketbollisteje ka qenë, për këtë na mjafton të kujtojmë se kur iu dha nënshtetësia edhe pse në moshën 26 vjeçe, menjëherë ajo u thirr në Kombëtare. E asokohe, një basketbolliste 26-vjeçare thuajse quhej “e vjetër”!

Do ta zhvillonte ndeshjen e parë vetëm më 21 dhjetor 1958 në Udine kundër Polonisë (52-45 për polaket), duke mbërritur në 6 ndeshje mbrenda një harku kohor prej vetëm 6-7 muajsh. Italia fiton ndeshjen me Jugosllavinë 52-49 në Venecia me Imeldën në formacion dhe në qershor 1959 shkon në turneun ndërkombëtar të Beogradit të Kupës ndërkombëtare të Jugosllavisë, ku arrin të fitojë vetëm 1 ndeshje me Bullgarinë 54-39. Gjithçka është si një rrufe e mbrenda vetëm gjashtë muajve: 6 ndeshje, 2 fitore, 4 humbje. Duket si një bilanc negativ, por nuk duhet të harrojmë se ajo që sundonte në basketbollin europian të femrave asokohe ishin shtetet komuniste. Natyrisht duke përjashtuar Shqipërinë. Dhe rastësia e madhe: të 6 ndeshjet e saj, Imelda Prennushi i luajti vetëm me Kombëtare të shteteve komuniste: Poloni, Jugosllavi, Bullgari, Hungari! E për këtë mjafton të kujtojmë se në gjithë kampionatet e Europës në këto vite, 5-6 vendet e para i zinin vetëm skuadrat e vendeve komuniste: BRSS, Çekosllovakia, Bullgaria, Polonia, Hungaria, Jugosllavia… Epërsi që me vite madje, ata do ta thellonin. Ndonëse, për çudi, Italia kishte qenë kampionia e parë e Europës më 1938 në Romë!

Mû këtu shfaqet një përkim disi i veçantë, i rrallë. Pikërisht kur një shkodrane e Italisë me emrin Imelda Prennushi shpallet për herë të tretë radhazi kampione e Italisë dhe, për herë të parë, po në këtë vit 1958 luan ndeshjen e saj të parë me Kombëtaren e Italisë, në bregun përballë të Adriatikut, në qytetin e saj Shkodër luhet ndeshja e parë ndërkombëtare e basketbollit për femra. Është Vllaznia e Shkodrës – Burevjestnik e Tbilisit të BRSS, 38-73! Kjo ishte epërsia gjigante e shteteve më të parë të shoqërisë komuniste në basketbollin e femrave.

Imelda Prennushi largohet nga Kombëtarja më 1959 në moshën 27-vjeçare, çka asokohe për “gjenetikën” e basketbollit të femrave thuajse quhej “mosha e shtyrë”. Do të marrë me vete kujtimin e madh, siç e tha pra dhe vetë ajo, që hyri në histori si vajza e vetme shqiptare që bëhej kampione e Italisë dhe lojtare e Kombëtares Italiane të basketbollit. Kishte mbërritur kështu atë që nuk mundi ta mbërrinte Riza Lushta në futboll, i cili, edhe pse u thirr dhe u stërvit, nuk arriti ta veshë fanellën e Kombëtares së Italisë në ndeshjen Italia-Hungaria 1-1 të 1 dhjetorit 1940 në “Luigi Ferraris” të Genova-s. 18 vjet më vonë, këtë meritë të madhe do ta fitonte një basketbolliste shqiptare: Imelda Prennushi. Do të merrte me vete gjithashtu edhe një kujtim të çmueshëm të jetës së saj sportive: qe në një skuadër me basketbollisten e famës botërore Liljana Roncchetti, nën emrin e së cilës u njoh Kupa e Europës.
X X X
Viktor Jubani është djali i tezes së Imelda Prennushi-t, thjesht sepse nëna e tij, Liza Shuli, është e motra e nënës së Imeldës, Luçia Shuli. Viktor Jubani është shoku im i vjetër i gjimnazit, i rinisë së parë, i sportit, i artit, i qytetarisë. Është një muzikant i shquar, po dhe një volejbollist ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. E ashtu si Imelda, edhe ai ka prekur me dinjitet Europën. Fizarmonicist elegant e virtuoz, muzikën e ka hobin e tij, por kurrë nuk mënjanoi shkollën e studimet, si dhe duke ushtruar së bashku edhe sportin e volejbollit deri në lartësitë e mëdha të një veprimtarie europiane, që sot vërtet na duket si ëndërr, jo realitet. Ndonëse Dinamo jonë europiane ka qenë po një realitet europian. E harruar? Ndoshta… Megjithatë do të mundohemi të mos ta harrojmë. Aq më tepër nuk mund ta harrojë një Viktor Juban i brezit tonë, brez i pastër e i sinqertë, pasionant e sakrifikues, atdhetar e i talentuar. Mbi të gjitha, kurrsesi i një interesi që, për fat, sot nxin përreth,..

Në këtë tregim për Imelda Prennushi-n, Viktor Jubani qe një ndihmës i çmuar i imi. Me mendime e foto të rralla sidomos, me nxitje e me dëshirën që Imeldën e Prennushëve, por dhe të fisit të tij, ta njohë edhe Shqipëria.
Kësisoj, po e përfundoj me tregimin e tij të një ngjarjeje “të fshehtë” të plot 50 vjetëve më parë: “dhjetor 1966 – dhjetor 2016”.

Një takim i bujshëm i Dinamos së Tiranës me Imelda Prennushi-n

Nga VIKTOR JUBANI

Më 1969 kam përfunduar studimet në biologji – kimi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe gjatë kohës së studimeve, mbas Vllaznisë kam qenë titullar i skuadrës së Studentit, duke qenë kapiten dhe lojtari i parë i saj. Më 1966-67, kampionia Dinamo mori pjesë në kupën e kampioneve. Ajo përbëhej prej lojtarëve më të mire të vendit A.Rusi, Y.Shehu, K.Tartari, A.Panteqi, A.Llullolli, E.Terihati, K.Lena, por edhe e përforcuar me lojtarë të tjerë si A.Bushati, F.Sharofi, V.Jubani, T.Driza, P.Pelivani, N.Kosovrasti. Skuadra madje u përgatit edhe në Kinë ku pranë trajnerit Vangjel Koja ishte dhe kinezi Zhen. Shorti e vuri Dinamon përballë kampiones së Italisë Virtus e Bolonjës. Dinamo fitoi në Tiranë 3-0 dhe me pikaverazh të thellë 45-18. E mbështetur fort prej një publiku që nuk ishte parë në Shqipëri për një ndeshje volejbolli, mbetet e paharrueshme ajo natë kur skuadra e sprovuar italiane u gjend para një situate krejt të papritur dhe të paimagjinueshme, të një loje të shpejtë, me topa të shtrirë, gjysmë lartësi dhe të shkurtë. Ndërkaq, po mbërrinte ndeshja e kthimit në Bolonja të Italisë. e për fatin tonë ditën e nisjes, e hënë, një rrebesh shiu e bëri pistën e Rinasit të pamundur për ngritjen e avionit të Alitalias. Të mërzitur u kthyem në dhomat tona pranë stadiumit Dinamo ku ishim të grumbulluar. Do të udhë-tonim me anijen tregëtare “Skenderbeu” përmes detit drejt në Ravenna, afër Bologna-s. Udhëtimi zgjati 48 orë. U spostua edhe data e ndeshjes. Kuptohet se edhe mbas këtyre peripecive, qëllimi ynë ishte kualifikimi, i cili edhe pse ne humbëm këte ndeshje të dytë 0-3, falë pikaverazhit u kualifikuam duke fituar skuadra edhe duartrokitjet e spektatorëve italianë.
Ishte në prag të Krishtlindjeve, e porti i Ravenna-s nuk punonte për shkak të ditëve të pushimit. Për t’u kthyer në Shqipëri do të duhej të shkonim në Trieste për t’u imbarkuar në anijen “Mati” e cila do të nisej më 24 dhjetor. Për fatin tim të mirë unë atje kisha familjen e tezes sime që jetonte pikërisht në Trieste. Duke patur besim te unë se nuk kisha ndonjë plan arratisjeje, përgjegjësi i ekipit dhe shefi i klubit Dinamo, Vaskë Afezolli, i cili gjithashtu e dinte se në Trieste unë kisha familjen e tezes, më krijoj mundësinë që të bëja një vizitë dyorëshe në shtëpinë e saj.

Kështu, aty pata fatin të takohem dhe të njoh vajzën e tezes sime Imelda Prennushi, e cila na priti me shumë dashamirësi. Ajo ishte një vajzë me një paraqitje sportive, shtatlartë, e shkathtë, e qeshur dhe që fliste një gjuhë shqipe në dialektin e pastër shkodran. Imelda me shumë pasion, përveç shkollës impenjohej edhe me skuadrën vendase të basketbollit, ekip ky që në vitet ’56-’57 kishte qenë kampion i Italisë. Me kohë tezja ime Luçi dhe burri i saj Rrok Prennushi në korrespondencën e tyre dërgonin pjesë faqesh të gazetave sportive të cilat shkruanin për lojën e bukur të kapitenes së kësaj skuadre, bijës së tyre Imelda Prennushi, e cila arriti të luante edhe me ekipin kombëtar të Italisë.

Ky ishte takimi i parë me kushërirën time sportiste ashtu si dhe unë. Kur ekipi ynë u grumbullua në orën 13 të ditës së nisjes për Shqipëri afër Molo Audace për t’u imbarkuar për në anijen “Mati”, Imelda vjen e më përcjell, edhe me dëshirën për t’u takuar me sportistët shqiptarë, e shoqëruar edhe nga Luçiana. Me këte rast bëmë dhe fotot e paharrueshme me të gjithë ne në Trieste përballë piazza “Unita”.

Ky takim i mrekullueshëm ishte për mua si një ëndërr.

X X X

Si një ëndërr vërtet. Ëndrrat e një kohe që sa shfaqeshin, shuheshin rrufeshëm. Ishin ëndrrat e shqiptarëve që një sistem i pamëshirshëm i kishte ndalë deri aty saqë edhe për të mësuar jo për ëndrrat, por për realitetin zâmadh të kampiones dhe kombëtarases të Italisë, Imelda Prennushi, do të duheshin gati plot 50 vjet. Për të shpalosë së fundi sado pak këtë histori të vonuar, këtë “roman” të qytetarisë së hershme shqiptare, historia e jashtëzakonshme italo-shqiptare e Imelda Prennushi-t…

A mbaron këtu “romani” ynë?

Them që, nëse në Shqipëri përjetohet shpirti i vërtetë olimpik, universal, po dhe atdhetaria e vërtetë, kurrë nuk është vonë për të çmuar një histori, një vepër, një shqiptarí që personalitetet tona jashtë Shqipërisë e ruajtën përjetësisht në kraharorët e tyre. Ashtu siç e ka ruajtur Imelda Prennushi.

Fund