Grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras” ka vendosur të rikthehet në stadium për të mbështetur Vllaznisë. Pas disa javësh braktisje të ekipit të tyre të zemrës, për shkak të disa pakënaqësive të shfaqura në adresë të klubit dhe Bashkisë, së fundi, drejtuesit e këtij grupimi kanë ndryshuar mendje. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse për ta “Vllaznia është gjithçka”. Lajmi për rikthimin e tyre në stadium e kanë bërë të ditur në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social facebook kur kanë shkruar:

“Të bahena gati për ndeshjen me Luftëtarin. Një person na del në krah tonë. Shpresojmë të kthehena mirë. Forca Vllazni”! Ky natyrisht që është një lajm i mirë. Trajneri Cungu prej kohësh, në çdo dalje të tij publike u ka bërë thirrje tifozëve t’i mbështesin dhe të jenë më të shumtë në numër në stadium sepse edhe rezultatet e skuadrës do të ishin më të mira. Po ashtu, edhe futbollistët u kanë bërë thirrje të lënë mënjanë ndonjë problem që mund të kenë me ndonjërin prej drejtuesve dhe të rikthehen në stadium sepse kanë nevojë për mbështetjen e tyre. Tashmë kjo dëshirë e tyre po realizohet. “Vllaznit” të shtunën do jenë në “Loro Boriçi” për të mbështetur futbollistët kuqeblu dhe ky është një lajm i mirë. Rikthimi i tyre në stadium kuptohet që nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga kërkesat e mëparshme për sigurimin e autobuzave për lëvizjet jashtë Shkodrës, për ulje të çmimit të biletave apo dhe për kalimin e klubit në privatizim.

© shkodrasport.com