Këtë fundjavë në Shkodër do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë në boks. Aktiviteti i dytë më i rëndësishëm kombëtar, do të zhvillohet në dy ditë, të shtunën dhe të dielën, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në të do të marrin pjesë boksierët më të mirë të ekipeve të vendit megjithëse pritet të jenë edhe mungesa. Megjithatë sfidat pritet të jenë interesante. Ajo që pritet më me shumë interes duket se është ndeshja e peshës 75 kg në mes boksierit të Vllaznisë Arjon Kajoshi dhe atij të Tiranës Alban Beqiri. Këta dy sportistë u ndeshën edhe në gjysmëfinale të kampionatit kombëtar dhe gjyqtaria i dha fitoren boksierit kryeqytetas. Por shkodranët nuk kanë qenë të kënaqur nga vendimi i gjyqtarisë sepse sipas tyre, fitues ka qenë Kajoshi.

Pamjet filmike të kësaj ndeshje përfunduan deri në Itali ku specialistë të këtij sporti e kanë parë me vëmendje këtë sfidë dhe sipas trajnerit të Vllaznisë Zef Gjoni, ajo ndeshje ishte fituar nga boksieri shkodran. “Nuk më hiqet nga mendja ajo ndeshje. Thuajse çdo ditë e shoh në tv dhe jam i bindur 100 për qind se fitorja i ka takuar Kajoshit në atë takim. Megjithatë ashtu e panë gjyqtarët dhe nuk ka si të ndryshohet më ai vendim. Tani besoj se është koha për revansh. Kajoshi është përgatitur fort dhe mendoj se është në formën e tij më të mirë prandaj dhe jam i bindur tek suksesi i tij. Më shumë sesa tek fitimi i Kupës si ekip, jam i fokusuar tek kjo ndeshje”- ka thënë trajneri Gjoni. Vllaznia gjithsesi nuk do të ketë përbërje të plotë në Kupë. Kjo ngaqë disa nga sportistët ose janë të dëmtuar ose të pamundur për të marrë pjesë. Megjithatë, trajneri i këtij ekipi sërish beson tek suksesi, pavarësisht se me përbërje jo të plotë. “Do ketë rivalitet besoj në mes Vllaznia, Tiranës por edhe Teutës. Ne kemi pretendimet tona me boksierë si Vuksan Guri, Arjon Kajoshi e Nelson Hysa ndërkohë që kemi Marinajn dhe Shytanin të dëmtuar ndërsa Demaj pikërisht në këtë periudhë ka patur disa angazhime partiake dhe e ka parë të arsyeshme të mos marrë pjesë në Kupë. Natyrisht që nuk do ta kemi të lehtë të fitojmë këtë trofe por do të tentojmë deri në fund”- ka thënë Gjoni.

© shkodrasport.com