Ka rezultuar shumë i rëndësishëm goli i Denis Dycës në ndeshjen e sotme në mes ekipeve “Vllaznia B” dhe “Partizani B’. I shënuar në minutën e 81-të, ky gol i ka dhënë fitoren 1-0 shkodranëve në këtë takim përcaktues për vendin e dytë në renditje. Loja ka qenë pothuajse e barabartë dhe të dy ekipet kërkonin momentin për të ndëshkua njëri- tjetrin. Në një moment gjatë pjesës së dytë madje, kanë qenë futbollistët miq shumë pranë golit teksa kanë goditur edhe traversën e portës së mbrojtur nga Vjerdha. Megjithatë, fundi i takimit ka sjellë golin e shumëpritur.

Ka qenë një gol i ardhur nga këmbët e lojtarëve të ardhur nga ekipi U-19 i Akademisë Vllaznia. Ka qenë sulmuesi Pusi ai që ka rikuperuar një top nga mbrojtësit e Partizanit, ia ka pasuar atë Hysenajt dhe ky e ka futur në zonë, aty ku Dyca është gjendur në momentin e duhur dhe në vendin e duhur, duke e shtyrë atë për në rrjetë. Gol që nuk do ndryshonte më dhe i gjithë takimi është mbyllur në shifrat 1-0 për ekipin shkodran. Për t’u veçuar është fakti se edhe në këtë ndeshje ka patur një bashkëpunim të mirë të drejtuesve të klubit, me stafin teknik të ekipit të parë dhe me trajnerët e drejtuesit e Akademisë. Përveç Dycës të ardhur nga ekipi i parë, edhe në këtë ndeshje ka patur katër futbollistë nga ekipi U-19 dhe pikërisht sulmuesi Pusi, mesfushori Hysenaj dhe mbrojtësi Miloti, ndërkohë që në pankinë ka qenë edhe portieri Bajri. Trajneri Kraja e ka thënë pas ndeshjes se do të vazhdojë t’i jepet prioritet elementit të ri dhe me perspektivë të Akademisë të cilët premtojnë shumë për të ardhmen. Takimi i sotëm është ndjekur edhe nga drejtori sportiv i klubit Eugent Zeka që vazhdon t’i qëndrojë afër të gjitha ekipeve të klubit dhe po ashtu, ishin të pranishëm edhe përgjegjësi teknik i Akademisë Alban Neziri si dhe trajneri i ekipit U-19 Elvin Beqiri. Me fitoren e sotme, Vllaznia B është ngjitur në kuotën e 19 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje, me dy pikë më shumë se Albpetroli, ndonëse ky i fundit ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

© shkodrasport.com