Kristjan Asllani ka bërë realitet ëndrrën e fëmijërisë duke firmosur për ekipin e Interit. Djaloshi shqiptar ka firmosur për një nga klubet më të njohur në botë, me të cilin për më tepër është tifoz që në fëmijëri. Por duket se një herë ai është detyruar të tradhtojë ngjyrat zikaltër duke veshur ato të kushërinjve të Milanit.
Historinë e veçantë e ka treguar Kristiano Filipi, trajneri i parë i mesfushorit shqiptar, i cili kujton debutimet e tij te Butese. “Që në moshën 5-vjeçare driblonte kundërshtarët si të ishin birila. Fanella jonë i binte shumë e madhe, pasi ishte shumë më i shkurtër me trup se bashkëmoshatarët e tij”, tregon Filipi, i cili është njëkohësisht edhe mik i familjes Asllani dhe njihet në të gjithë zonën si një tifoz i zjarrtë i Milanit.
“Kristjan ishte fëmija klasik që fle me topin, që atëherë kuptohej se do të bënte rrugë. Natyra i dhuroi këmbët, por ai i shtoi impenjimin dhe vendosmërinë”, tregoi trajneri i cili zbuloi se këtë vendosmëri e kishte treguar edhe duke u paraqitur në stërvitje me fanellën e Kaka. “Kristjan, po ti je me Interin”, i kishte kujtuar asokohe trajneri. “Kisha frikë se mos përfundoja në pankinë, ndaj bleva këtë që të të pëlqeja”, kishte qenë përgjigja e vogëlushit Asllani.
“Marota dhe Znang nuk e dinë ende se çfarë kanë në duar’, insiston ish-trajneri që kujton edhe vitet e shkollës së mesfushorit. “Kristjan nuk shihej kurrë në rrugë, shkonte në shtrat herët pas ditëve kur kishte shkollë dhe futboll. Këto detaje janë thelbësore”, siguroi ai.