Bristoli, skuadra e kategorisë së dytë angleze, ka realizuar një nga arritjet më të mëdha të historisë së vet duke arritur në katërshen e më të mirëve në Kupën e Ligës, pasi sot ka eliminuar Mançester Junajtid për të vazhduar rrugëtimin e saj. Skuadra e vogël, e cila më parë në këtë sezon kishte eliminuar edhe Uotford, Stouk dhe Kristal Palas, bëri mrekullinë në fushën e saj duke prerë biletën për në gjysmëfinale. Aty ku do të ketë përballë një tjetër nga ekipet gjigande të Premier Ligës. Në ndeshjen e luajtur në “Ashton Gate”, Brajant kaloi në avantazh vendasit në fillimin e pjesës së dytë por Ibrahimoviç, me një goditje dënimi që kaloi poshtë murit mbrojtës vendosi barazpeshën në shifra. Dukej sikur sfida do të shkonte në kohët shtesë, por Bristoli bëri mrekullinë pikërisht kur gjyqtari po bëhej gati të sinjalizonte për përfundimin e sfidës. Në minutën e 93-të, Smith shënoi golin e fitores 2-1 për ekipin e tij duke ndezur entuziazmin në stadium.Në gjysmëfinale, Bristol duhet të bëjë një mrekulli tjetër nëse ëndërron të ecë më tej, pasi përballe do të ketë Mançester Sitin, Arsenalin ose Çelsin. Ky i fundit fitoi me shifrat 2-1 ndaj Bornmauth me gol po në minutat shtesë të ndeshjes nga Morata, vetëm pak çaste pasi ekipi kundërshtar kishte barazuar shifrat.