Futbolli i femrave ka pësuar një rritje të kënaqshme në vitet e fundit. Potenciali i shumë lojtareve femra është i jashtëzakonshëm dhe kjo nuk i ka shpëtuar as menaxherëve të suksesshëm të futbollit botëror.
Pasi ka arritur sukses në menaxhimin e emrave si Cristiano Ronaldo, Radamel Falkao dhe Zhose Mourinjo, kompania e agjentit të fuqishëm, Horge Mendez ka njoftuar me shumë bujë nënshkrimin me futbollisten e parë femër në historinë e saj.
Bëhet fjalë për Kika Nazareth, e cila sapo ka firmosur me ekipin portugez të Benfikas.
Nënshkrimi i 18-vjeçares krijon një precedent të ri për futbollin e femrave, duke i hapur udhë zhvillimit të saj.
Mesfushorja me tipare sulmuese konsiderohet si një nga xhevahirët kryesorë të futbollit portugez të femrave dhe jo vetëm, pasi ka luajtur në ndeshje ndërkombëtare por edhe në nivelin më të lartë të futbollit, si Liga e Kampionëve.