Një sukses vërtetë historik. Vllaznia në boks mbrëmjen e sotme është shpallur për herë të 21-të kampione e Shqipërisë. Më shumë se kushdo tjetër në këtë sport. Më shumë se çdo sport tjetër në Shkodër. Dhe për më tepër nëse sportistët protagonistë të gjithë këtyre sukseseve kanë kaluar në vite, vetëm njëri është aty, pa lëvizur asnjëherë.

Bëhet fjalë për të mirënjohurin Zef Gjoni, trajnerin që e ka shpall këtë ekip 21 herë kampion. Titulli i sotëm ka ardhur pas suksesit në ndeshjet finale teksa Vllaznia ka nxjerrë plot 5 kampionë, më shumë se çdo ekip tjetër. Kështu në peshën 52 kg Vuksan Guri ka fituar ndaj Serxho Kikrit të Teutës dhe është shpallur për të dytin vit rradhazi kampion. Në peshën 60 kg, Krenar Zeneli ka fituar ndaj Klevis Vrapit të Teutës dhe është shpallur kampion për herë të pestë. Në peshën 75 kg, Arjon Kajoshi ka fituar ndaj Ardit Demirit të Elbasanit duke fituar titullin e tij të dytë personal. Në peshën 81 kg, Bekim Vjerdha ka fituar ndaj Mikej Çullajt të Tiranës ndërsa në finalen e peshës +91 kg, Nelson Hysa ka fituar ndaj shkodranit Albert Kapaj. Pas përfundimit të ndeshjeve është zhvilluar ceremonia e vlerësimit të më të mirëve. Arjon Kajoshi është vlerësuar si boksieri më luftarak i kampionatit ndërsa Krenar Zeneli ka marrë kupën e boksierit më të mirë. Sakaq, në renditjen ekipore, Tirana është renditur e treta, Teuta e dyta dhe në vend të parë padyshim Vllaznia. Kupën trajnerit Zef Gjoni ia ka dorëzuar kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi. Vllaznia kësisoj shpallet kampione për të 21-tën herë dhe ky padiskutim është sukses madhështor.

© shkodrasport.com