Çiklizmi shkodran duket në rrugën më të mirë drejt ringritjes në nivele të larta. Mesditen e sotme, ekipi i Vllaznisë është shpallur fitues i Rrethit Çiklist për juniorë ndërkohë që çiklisti i saj Bruno Kola ka zënë vendin e parë në renditjen individuale. Suksese këto që tregojnë se ky sport duket në rrugë të mbarë për ringritjen e tij sërish në nivelet më të larta, aty ku ka qenë në vitet ’80.

Këto verdikte kanë dalë sot në përfundim të etapës së fundit të këtij Rrethi, asaj me itinerar Vlorë- Rrogozhinë. Pas një dueli të fortë në finish, fitues është sërish ai, Bruno Kola që lë në vend të dytë për të katërtën dit me rradhë fierakun Amarildo Gogaj ndërsa në vend të tretë është renditur sërish një çiklist i Vllaznisë, Kledison Cani. Pasi janë dhënë kupat dhe diplomat për fituesit e kësaj etape të fundit, gjyqtaria ka shpallur edhe fituesit e krejt Rrethit.

Fitues është shpallur Bruno Kola (tre vende të para në katër etapa), në vend të dytë ka qenë Amarildo Goga i Apolonisë dhe në të tretin Astrit Kronaj po i Vllaznisë. Edhe në renditjen ekipore, ka sërish dominim të Vllaznisë që ka fituar vendin e parë duke lënë në të dytin Apoloninë dhe në të tretin me kohë të barabartë janë renditur, Teuta dhe Skënderbeu.
© shkodrasport.com