Kosova u mposht dje 2-1 nga Maqedonia e Veriut duke humbur shansin për finalen që do e çonte në fazën e grupeve të EURO 2021, kompeticion që Dardanët do e preknin për herë të parë.

Në këto kushte, Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë një mbledhje urgjente me lojtarët, stafin dhe trajnerin zviceran Bernard Challandes.

Presidenti Agim Ademi I ka besuar trajnerit edhe për të ardhmen, me Challandes që pak kohë më parë rinovoi kontratën për 2 vite të tjera. Në njoftimin e Federatës thuhet se Kosova I beson aftësive të trajnerit dhe stafit të tij, në këto momente jo të lehta.

Njoftimi I Federatës:

FFK jep besimin e plotë ndaj përzgjedhësit Bernard Challandes dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke kërkuar nga ta që të jenë edhe më vigjilentë në këtë periudhë jo të lehtë për ekipin dhe që të jenë të gatshëm për të ndihmuar futbollistët ta përballojnë këtë situatë, si dhe që t’u japin mundësi të gjithëve dhe të krijojnë ekipin më të mirë”, thuhet ndër të tjerash në kumtesën e lëshuar.