Shkruar nga Endri ÇINARI
Bekim Balaj mund të themi se ishte “ëngjëll” dhe “djall” për Vllazninë në barazimin e fundit të shkodranëve 1-1 kundër Tiranës. Sulmuesi u rikthye tek goli pas 5 ndeshjesh “thatësirë” në Superiore, duke u ngjitur në kuotën e 8 golave në kampionat tashmë. Ku barazoi shifrat ndaj bardhebluve falë një 11-metërshi të fituar nga Kastrati dhe shndërruar në gol nga vetë 34-vjeçari. Por, ish-sulmuesi i kombëtares kishte mundësi të kalonte në avantazh shkodranët në fundin e pjesës së parë.
Ku sërish në këmbët e tij kishte një penallti, por kësaj rradhe kapiteni kuqeblu u “hipnotizua” nga Tafas. Që kuptoi krahun e goditjes së shtatlartit dhe nuk lejoi atë dhe Vllazninë të gëzonin për herën e dytë në “klasike”. Kështu Balaj shënoi 1 penallti dhe humbi 1 tjetër, në një takim që duhej të shënonte kthesën e 9 herë kampionëve të vendit tonë. Kjo është hera e dytë këtë sezon, ku Balaj humbet një penallti në ndeshjet e Superiores.
Ku diçka e tillë i ndodhi edhe në ndeshjen e parë të edicionit kundër Egnatias. Dhe pavarësisht se Vllaznia triumfoi 2-0 ndaj rrogozhinasve, Balaj do humbiste një penallti kundër Dajsinanit në minutën e 34-ët të atij takimi.
Teksa sezonin e shkuar ishte vetëm Abalora i Elbasanit që arriti t’i neutralizonte një penallti Balajt, ku në duelin e javës së 26-të të sezonit 2024-25, ku mes Vllaznisë dhe Elbasanit u shënua barazimi 1-1, portieri ganez do bëhej “gardiani” i parë që do i priste një penallti Balajt që prej rikthimit të tij në Superiore, në janarin e vitit 2023.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


