Ndonëse me lojtarë të rinj në përbërje, Veleçiku jo vetëm ka arritur të fitojë në ndeshjen e fundit të fazës së dytë të kampionatit, por madje ka qenë një fitore me goleadë.

Në takimin e luajtur pasdite e sotme në Kukës ndaj ekipit vendas “Kukësi B”, koplikasit kanë fituar me rezultatin 5-3.

Kjo përballje është zhbllokuar shumë shpejt teksa futbollisti i ri Fjoraldo Popaj ka shënuar që në ‘7.

Më pas ka qenë Aranit Zaraj që ka dyfishuar shifrat. U duk se ndeshja do të mbaronte shpejt por në fakt kukësianët reagojnë dhe do të shënonin dy gola me anë të Cenajt në minutat 23 dhe 39.

Të gjendur para këtij fakti, futbollistët e Veleçikut reagojnë dhe Ervis Plishta fillimisht në ’41 dhe më pas përsëri Fjoraldo Popaj do të shënonin edhe dy gola të tjerë duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në shifrat 4-2.

Në fillimin e së dytës, Kukësi B fitoi një 11-metërsh që u kthye në gol nga Peposhi.

Megjithatë dy minuta më vonë, Donati Toma do të shënonte edhe golin e pestë dhe të fundit të ndeshjes.

Përfundimisht 5-3 për Veleçikun që ngjitet në kuotën e 62 pikëve megjithatë ato nuk i mjaftuar për të zënë vendin e parë.

Këtë e meritoi Vora e cila me 65 pikë siguroi ngjitjen në kategorinë e parë.

Ndërkohë, koplikasit do të luajnë ndeshjen play-off ditën e mërkurë ndaj njërës prej skuadrave të kategorisë së parë, Shkumbinit ose Naftëtarit.
© shkodrasport.com