Trajneri Ilir Daja, foli pas humbjes 3-2 në transfertë ndaj Laccit, ku analizoi këtë përballje, duke evidentuar ç’ka nuk shkoi në skuadrën që ai drejton. Në prononcimin për “Gol pas Goli”, tekniku i të kuqve u shpreh:
“Nuk është si i lidhim ndeshjet kur luhet në të njëjtin orar. Nuk kemi bërë shumë në pjesën e dytë. Në pjesën e parë reaguam direkt kur pësuam gol. Në pjesën e dytë, po ta shikoje nga stoli, kishim vështirësi në pamjen vizive, ishte në gjysëm errësirë. Me daljen e Hakajt, patëm probleme në mbrojtje.
Balla është mesfushor që u pozicionua si mbrojtës krahu. Në pjesën e dytë mungoi dëshirë dhe sakrifica për ta marrë rezultatin. Më shumë pritëm kundërshtarin. Në momentet e ndërtimit të aksionit, i kemi falur topat kundërshtarit në zona të rrezikshme.
Përveç terrenit të rënduar, nuk duhet ta ngremë si alibi. Ne kemi vonuar te pasi i thjeshtë. Përveç Kardozos që nuk ishte në gjendje të mirë. Vonesa e pasit bëri që të gabonim në ndërtimin e aksionit. Kundërshtari na kapi në disekuilibër.
Do uroja gjithë shqiptarët, veçanërisht komunitetin e futbollit. Mos kemi problematika, të kemi një vit sa më të mbarë. Shëndeti është gjëja që do t’iu uroja. Gëzuar të gjithëve”, përfundoi Daja.