Elseid Hysaj e ka parë dje veten në radhët e Napolit njëlloj si në radhët e përfaqësueses shqiptare. Trajneri Gatuzo kishte vendosur një rreshtim 3-5-2 për sfidën e Kupës kundër Atalantës dhe Hysaj rreshtohej në të majtë, siç i ka ndodhur shpesh edhe në radhët e kuqezinjve.
“Nuk ishte e vështirë që të përshtatesha me modulin e ri, na ka ndihmuar edhe në fazën mbrojtëse. Gatuzo na kërkoi më shumë vendosmëri në fushë. Moduli ishte një zgjedhje e trajnerit, ne duhet ta aplikojmë sa më mire të jetë e mundur”, tha ai pas sfidës.
Hysaj nuk e sheh Napolin jashtë objektivave, edhe pse ndeshja me Atalantën u mbyll me barazimin 0-0. “,Jemi një grup i madh, po mundohemi të japim maksimumin, por rezultati 0-0 është i mirë edhe në perspektivën e ndeshjes së dyfishtë. Do të kishte qenë më keq nëse do të mundeshim. Kthehemi në shtëpi duke menduar se duhet të bëjmë më mirë në sfidën e dytë”, theksoi ai.
Më pas, nuk mund të mungonte pyetja edhe për të ardhmen e mbrojtësit kuqezi, të cilit i përfundon kontrata në qershor. “Unë do të respektoj kontratën time, do të jap maksimumin për këtë skuadër deri në fund. Pastaj kur të vijë momenti për të biseduar, do ta diskutojmë.
Jam këtu prej vitesh, nuk mendoj për atë që do të vijë më vonë, jam shumë i përqendruar te skuadra”, ishin fjalët e Hysajt i cili la gjithçka të hapur për të ardhmen. /vipsport/