Dëmtimi i Elseid Hysajt në miqësoren ndaj Norvegjisë është kthyer në çështje dite në mediat italiane, të cilat gjatë 24 orëve të fundit kanë shkruar pa pushim për situatën e futbollistit të kuqezinjve.

Napoli është i përfshirë në luftën për titullin kampion dhe mungesa e gjatë e Hysajt, titullar i padiskutueshëm në radhët e këtij ekipi, do të ishte një problem më shumë në duelin me Juventusin.

Siç tregoi vetë Hysaj për VIP Sport, telefoni i tij nuk ka pushuar së rëni, pasi të gjithë dëshironin të mësonin se si ishtt situata pas asaj përplasjeje që e detyroi të largohej nga fusha e lojës duke çaluar në minutën e 65-të të ndeshjes së të hënës.

Më të shqetësuar kanë qenë padyshim te skuadra e Napolit dhe ka qenë vetë Hysaj ai që ka menduar t’ua sqarojë situatën personave në klub.

“Il Matino” ka zbuluar se sapo ka hipur në avion për të udhëtuar drejt Italisë, Hysaj i ka telefonuar trajnerit Mauricio Sarri, për t’i shpjeguar se gjatë të martës ishte zgjuar me më pak dhimbje.

“Mister, nuk ka asgjë serioze”, mësohen të kenë qenë fjalët e mbrojtësit drejtuar trajnerit që i dha besim te Empoli dhe më pas e bëri pjesë të projektit të tij edhe te Napoli.

Megjithatë, për mbrojtësin shkodran parashikohet një pushim këtë fundjavë ndaj Sasuolos, për të qenë në maksimum në javët e fundit të sezonit, kur të fillojnë duelet delikate në luftën për titull. /vipsport/