Trajneri më i mirë i javës së 34-t është ai i Vllaznisë, Hysen Dedja. Me taktikën që ndoqi, duke bërë presion lart dhe futur në fushë një skuadër agresive, thuajse e asfiksoi Kukësin dhe në fund u shpërblye me një fitore që mban gjallë shpresat për të shmangur ndeshjen shtesë për qëndrimin në Superiore. Vlerësim maksimal edhe për trajnerin e Laçit, Armando Cungu, pasi ekipi i tij shkëlqeu kundër Bylisit.

Gjen alibi pas ndeshjes duke sulmuar arbitrin për humbjen, por skuadra e tij ishte thuajse inekzistente në fazën mbrojtëse. Kjo e bën trajnerin e Bylisit, Veljko Dovedan, më të dobëtin e javës që lamë pas. Disa tentativa me goditje nga jashtë zone ishin shumë pak për ballshiotët, që u shthurën ndaj Laçit dhe natyrisht trajneri mban përgjegjësi. Javë e dobët edhe për trajnerin e Kukësit, Orges Shehi.

NOTAT

VLLAZNIA 8 – Një skuadër kaq agresive kishte javë që nuk shikohej, aq më tepër në “Loro Boriçi”. Mposht me meritë Kukësin pas një goli të qendërmbrojtësit Mevlan Adili dhe rihap garën për të shmangur zonën “play out”. Kjo ishte ndeshja më e mirë që Vllaznia bën nën drejtimin e Hysen Dedjes, edhe pse sinjalet i dha që në transfertën e Korçës.

LAÇI 8 – Të fitosh me tre gola dhe për më tepër në një fushë si ajo e Ballshit, do të thotë shumë. Kurbinasit vulosin pjesëmarrjen në Europë me një triumf të madh ndaj Bylisit. Nuabueze shënoi dy herë, ndërsa gjeti rrjetën edhe Rapo me një gol mjaft të bukur.

TIRANA 7 – Tensioni për të mbyllur çështjen titull sa më shpejt ndikoi ndaj Flamurtarit, por bardheblutë bënë detyrën, duke iu falur talenteve si Muçi dhe Ismajlgeci. Por, festa gjigante erdhi vetëm 24 orë më pas, kur humbja e Kukësit në Shkodër e shpalli Tiranën matematikisht kampione. Një sukses i merituar për bardheblutë, që tashmë thellojnë rekordin e tyre me titullin e 25-të, duke u konfirmuar si klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar.

SKËNDERBEU 7 – Fitore e vuajtur në Gjirokastër, por shumë raste të shpërdoruara. Ndeshjen e zgjidhi Blerim Krasniqi 15 minuta afër fundit, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në zonën e UEFA-s. PARTIZANI 6.5 – Humbet “trenin e fundit” në Durrës, duke marrë vetëm një pikë ndaj Teutës, por që nuk mjafton për Europën. Dy javë para fundit të kampionatit, të kuqtë vulosën dështimin sezonal.

TEUTA 6.5 – Barazimi ndaj Partizanit është si një fitore në këtë fund të kampionatit. Durrsakët ruajtën vendin e katërt dhe janë praktikisht në Europë, në një kohë që do të luajnë edhe finalen e Kupës.

LUFTËTARI 4 – I kishte të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Skënderbeut. Reziston deri në minutën e 75-të dhe mbi të gjitha kap disa herë në befasi korçarët, por nuk di të shënojë dhe e pëson në një moment ku mbrojtja ishte e vendosur keq.

FLAMURTARI 4 – Ia bën të vështirë Tiranës dhe madje shpërdoron raste për të barazuar sfidën. Më pas goli i dytë shuan çdo shpresë dhe nga një ekip që ka rënë prej javësh nuk mund të presësh më tepër.

KUKËSI 4 – Zhgënjen totalisht në Shkodër dhe i jep luksin Tiranës të vulosë titullin duke parë ndeshjen nga TV. Një lojë e dobët e të besuarve të Orges Shehit, që bënë shumë pak për të marrë pikë. Një sezon i dështuar, duke pasur parasysh objektivat që kishte klubi.

BYLISI 3 – Një notë aq sa golat e pësuar ndaj Laçit. Ballshiotët u shpërfytyruan në fushën e tyre, duke pësuar humbjen më të thellë të këtij sezoni në “Adush Muça”. Mbrojtja futi “ujë” dhe reagimi ishte i dobët, me repartin e sulmit që ishte pa një pikë referimi. Bylisi rrezikon fazën “play out”, edhe pse kalendarin e ka në favor.