Mjeshtri i Merituar i Sportit, Hysen Zmijani, e shikon si pozitive nisjen që Vllaznia i ka bërë kampionatit, por citon se ka ende punë për të bërë për të qenë mes më të mirëve.

Sipas tij, përballja me Tiranën shfaqi një Vllazni me dy fytyra, por ai është në sinkron me klubin shkodran për sa i përket ndikimit që pati gjykimi te rezultati i takimit. Nga ana tjetër, asnjë acarim nuk e justifikon hedhjen masive të shisheve në fushën e blertë nga tifozët.

Për të ardhmen, Zmijani thekson se është ende herët për të folur, pasi asnjë prej skuadrave deri tani nuk po tregon nivel superior. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi foli edhe për afrimet që ka bërë Vllaznia, por edhe për punën që po bën trajneri Jonuz dhe drejtuesit.

Si e shikoni startin e Vllaznisë, ku në tri ndeshje ka marrë 4 pikë?

Në njëfarë mënyre, mund të them se nisja është e kënaqshme, duke ditur problematikat dhe kur ka filluar punë skuadra. Nga ana tjetër, mendoj se mund të ishte marrë edhe diçka më shumë, pasi deri tani nuk kam shikuar diferenca të mëdha mes skuadrave. Mund të them se jemi brenda objektivave.

T’i kthehemi ndeshjes së fundit me Tiranën, Vllaznia mund të kishte marrë diçka më shumë?

Të humbësh me Tiranën, siç u përjetua shumë keq edhe nga ana e tifozëve, nuk është fundi i botës. Mendoj se Tirana ka investuar më shumë sesa Vllaznia në këtë sezon. Por ajo që shikova ishte se në grup bardhbelutë nuk ishin më mirë sesa Vllaznia.

Ajo kishte dy apo tre lojtarë që bënin dallim me të tjerët dhe nuk kishte gjë më tepër. Mendoj se mund të ishte marrë diçka më tepër nga kuqeblutë, por vura re që skuadra shfaqi dy tablo dhe nuk e ka qartësinë e saj për të dalë rrezikshëm në sulm. Këtu duhet pasur parasysh edhe se sa ndikoi gjykimi. Unë mendoj se gjykimi ndikoi shumë, pasi një penallti e dhënë në ato minuta të para mund të ndryshonte gjithçka, ose mund të mos kishte asnjë ndryshim. Megjithatë, gjykimi ndikoi në acarimin e situatës. Gjë që solli pastaj edhe të tjerat, që Shkodrës nuk i kanë hije.

E keni fjalën për irritimin e tifozëve?

Pikërisht për këtë e kisha fjalën. Nuk ka lezet, pavarësisht ngacmimeve që të vijnë nga të tjerët që të veprohet në mënyrë të tillë. Ne si Shkodër jemi njohur për korrektësinë në tribuna dhe nuk na ka hije që të shprehim të parët atë që gjithmonë e kemi kritikuar. Tifozët duhet të ishin treguar më të qetë dhe të kishin mbështetur me forcë ekipin dhe jo të vepronin në atë mënyrë. Veprime të tilla mund të ndikojnë direkt tek ekipi. Mund të dënohet fusha, mund të ketë gjoba apo të luhet pa spektatorë dhe që këtë do ta vuajë më shumë skuadra për të ardhmen.

Gaboi Vllaznia apo e meritoi Tirana me lojë këtë fitore?

Është komplekse. Mendoj se deri para shënimit të golit loja ishte thuajse e barabartë, pavarësisht se ne nuk kishim raste të pastra për shënim. Goli i parë duhet ishte një gabim i pafalshëm për një lojtar si Gurishta. Më vjen keq, se ishte ky lojtar që i ndodhi ai rast. Ndonëse është i ri në moshë, është ndër lojtarët kyç të ekipit. Po ashtu, edhe goli i dytë ishte një gabim i lojtarëve tanë. Për mendimin tim, ky gol shkaktoi edhe shokun ku skuadra nuk arriti më të marrë veten. Pra, më shumë ishin gabimet që ia dhuruan fitoren Tiranës, sesa një supermaci e kësaj skuadre ndaj Vllaznisë.

Si ju duket loja e skuadrës shkodrane në këto takime të para?

Të jem i sinqertë, nuk më kënaq shumë loja që skuadra zhvillon. Nuk nisem nga takimi i fundit, por edhe te përballjet e tjera. Skuadra tregon grintë e dëshirë, por nuk qarkullon topin. Në sulm dua të vlerësoj Zogajn, si një nga më të mirët e kësaj skuadre në të tria takimet. Ka vrapuar e punuar shumë. Por dua të them se nuk krijojmë raste për shënim dhe nuk jemi aq efikasë në sulm.

Edhe dy përballjet e para nuk është se luajtëm mirë, por rezultati mbyll gjithçka. Ndaj Tiranës doli në pah edhe mënyra e lojës. Luhet sërish me topa të lartë nga portieri apo mbrojtësi në sulm. Duhet të luajmë sidomos në Shkodër më shumë topin dhe të dalim me qartësi në sulm dhe jo në mënyrë sporadike. Ajo që më pëlqen më shumë në këto momente është grinta që po tregon skuadra.

Afrime në minutat e fundit, të cilat sipas drejtuesve garantojnë shumë për të ardhmen, ju si i vlerësoni ato?

Të jem i sinqertë dhe që drejtuesit të mos na keqkuptojnë kur flasim, sepse edhe kur themi diçka e bëjmë për të mirën e Vllaznisë dhe jo për të bërë opozitarin, nuk jam krejt i bindur me lojtarët e ardhur. Kryesisht e kam me ata që u folën se do të jenë forca kryesore e ekipit në sulm, pra brazilianëve.

Ndoshta me të drejtë thuhet se janë pa përgatitjen e plotë fizike, por unë them që përderisa janë në fushë, ata duhet të ishin të përgatitur për të dhënë vlerat e tyre. Deri tani nuk kam shikuar ndonjë nivel më të lartë të këtyre lojtarëve në krahasim me futbollistët tanë. Për këtë ata janë afruar. Unë shpresoj që të jenë ndryshe në të ardhmen, por aktualisht nuk shikoj ndonjë ndryshim apo që të kenë bërë diferencën. Më pëlqen të jem i sinqertë.

Trajneri Jonuz së bashku me Licin po punojnë shumë dhe për më tepër më pëlqen profesionalizimi i teknikut, i cili kritikat e bëra i vlerëson drejt dhe si oponencë. E thashë më lart, ne e duam Vllazninë e prandaj flasim me sinqeritet e pastërti, për të ecur sa më shumë përpara. Për mua si Hysen, por edhe për specialistët e tjerë e tifozët, dëshirojmë që ta shikojmë Vllazninë në majë. Edhe aty po të jetë, përsëri unë do të flas si specialist dhe do të gjej sërish vend ku duhet të përmirësohet. Prandaj, stafi teknik e ai drejtues duhet të kuptojnë drejt atë që ne kërkojmë nga Vllaznia.

Si e shikoni Vllazninë në vazhdimësi?

Është herët, duhet të shikojmë gjithçka hap pas hapi. Dua vetëm të them se jo vetëm Vllaznia, por edhe ekipet e tjera janë aty-aty me ne. As Partizani e as Kukësi apo Tirana e Laçi që u futën si pretendentë nuk është se po tregojnë ndonjë supermaci në fushë. Ndonëse kanë afruar shumë lojtarë me emër dhe me shuma të konsiderueshme, me lojë nuk shikoj diferenca të mëdha. Prandaj, me punën që po bëhet te Vllaznia le të shpresojmë që gjërat të ecin për mirë dhe të harrohet Tirana e të shikohet përpara. Ndërprerja mendoj se erdhi në momentin e duhur për skuadrën.