Vëllaznimi dhe Samuel Nikaj, janë shumë afër një marrëveshjeje. Trajneri shkodran do të marrë postin e trajnerit te ky klub në ditët në vazhdim.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Nikaj në një prononcim për “Shkodra Sport”. Ai tha se ndihet i vlerësuar që një klub kaq i madh, siç është Vëllaznimi, është i interesuar për ta marrë në krye të pankinës së tij.

Nikaj u shpreh se kanë mbetur disa detaje të vogla për ta konkretizuar marrëveshjen, ndërsa theksoi se drejtimi i Vëllaznimit është një ëndërr e tij e bërë realitet tashmë.

“Po, është e vërtetë që jam në kontakte me Vëllaznimin dhe ndihem i vlerësuar që një klub kaq i madh, është i interesuar për shërbimet e mia. Realisht kam refuzuar disa ekipe, pasi dëshira ime është që të bëhem pjesë e këtij ekipi.

Kanë mbetur disa detaje të vogla për të konkretizuar marrëveshjen dhe për të bërë realitet një ëndërr timen, që e kam patur që në 2008, kur rastësisht pata ndjekur një ndeshje të Vëllaznimit në Gjakovë, pastaj dëshira m’u shtua duke e parë nga afër atmosferën e një ndeshje futbolli, pasi edhe si kundërshtar, e kam provuar adrenalinën që të jep ai publik.

Realisht, gjithmonë kam zgjedhur vendin ku dua unë të jem dhe jo të vendos në bazë të disa rrethanave momentale dhe unë Vëllaznimin e kam patur prioritet ndër vite. Kështu që, jam plotësisht i gatshëm të kaloj edhe një vit tjetër në Kosovë.

Tek Vëllaznimi luajnë shkodranët Marku, Gjini, Toma dhe Vjerdha, futbollistë të afirmuar, që janë pjesë e planeve të mia. Megjithatë, tek Vëllaznimi do afrohen vetëm ata futbollistë, që e kanë me dëshirë për të dhënë kontribut dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë për atë fanellë dhe jo mercenarë, që vijnë sa për një rrogë, pasi atë fanellë e kanë veshur yje, që më pas kanë bërë karrierë ndërkombëtare.

Për momentin, ekipin e mbështet Komuna e Gjakovës dhe një grup donatorësh, ndër to edhe Lorik Cana, bashkë me të atin, një tjetër futbollist i madh, siç është Agim Cana. Në vazhdim në momentin që do privatizohet, do shihet realisht kush do e marrë presidencën e Vëllaznimit”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i ri i Vëllaznimit, shkodrani Samuel Nikaj.
Maringlen ZHIVANI