Hysen Zmijani mendon se Vllaznia është eliminuar nga Liga e Konferencës nga një skuadër më e dobët se niveli që kanë aktualisht shkodranët.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit shkodran, që ka edhe titullin “Mjeshtër i Madh”, ka analizuar eliminimin e Vllaznisë nga Liga e Konferencës, si dhe atë që i mungon skuadrës kuqeblu në prag të startit të kampionatit. Zmijani u ka bërë apel drejtuesve të klubit se duhet të sakrifikojnë patjetër për të afruar në skuadër një lojtar tipik numër 10, pikërisht një fantazist që mund të rregullojë lojën sulmuese të shkodranëve.

Keqardhje që Vllaznia nuk është në turin tjetër apo ky mund të quhet një verdikt i drejtë pas paraqitjes në dy ndeshjet me Linfildin?

Natyrisht që të vjen keq, pasi mendoj që Vllaznia kishte përballë një skuadër më të dobët se vetë ajo. Një skuadër që ishte bërë profesioniste vetëm 2 vite më parë, por që kishte profesionalizëm vetëm në vonesën e lojës. Nga ajo që pashë, portieri dhe disa lojtarë, për më shumë se 15 minuta gjatë ndeshjes, menduan vetëm si të vononin lojën dhe ulur ritmin e Vllaznisë. Ndërsa nga ana tjetër, Vllaznia m’u duk një skuadër me grintë dhe dëshirë, por që në sulm nuk shkonte me një qartësi për të gjetur golin. Madje edhe goli që u shënua, ishte rrjedhojë e një harkimi shumë të bukur dhe një goditjeje perfekte e Balës me kokë.

Trajneri Memelli deklaroi se po kërkohet sërish në merkato, ju mendoni se duhet patjetër një numër 10?

Mendoj se i duhet ai lojtar që fola, pikërisht aty duhet kërkuar. Drejtuesit ndoshta edhe financiarisht duket që të sakrifikojnë për të sjellë lojtarë cilësorë për të bërë diferencën dhe jo për të plotësuar organikën.