Një nga emrat që pritej të ishte shumë i diskutuar në merkaton e verës, ishte Serxhio Ramos. Mbrojtësi spanjoll mbylli kontratën e tij me PSG-në dhe i dha lamtumirën klubit parisien në ditët e para të qershorit.
Futbollisti ishte në formë të mirë në sezonin e tij të dytë te PSG dhe shumëkush mendonte se ai do ta kishte të lehtë që të gjente një ekip për të vazhduar karrierën. Por gjërat nuk kanë shkuar siç mendonte mbrojtësi, pasi përtej interesimit, nuk ka pasur bisedime konkrete mes tij dhe klubeve që synonin ta kishin në radhët e tyre.
Lojtari i ishte ofruar vetë Seviljes, klub ku mori famë në fillimet e karrierës, por klubi bëri të qartë se nuk interesohej për futbollistin. Edhe sirenat nga Arabia Saudite për të u shuan shumë shpejt, pasi klubet vendosën që të mos bënin çmenduri për mbrojtës të nivelit të lartë.
Një nga pistat e pakta që mbetet për të ardhmen e lojtarit, e cila nuk do të jetë në Europë, është kampionati amerikan. Ramos tërheq disa nga klubet atje, që duan të konkurrojnë me famën dhe potencialin që ka krijuar Inter Majemi me Mesi & Co. Por kur të gjitha skuadrat janë në aktivitet, Ramos nuk ka marrë ende asnjë ofertë konkrete, duke mbetur i papunë dhe me një të ardhme shumë të pasigurt.