Në fillim të sezonit krijoi jo pak zhurmë në lidhje me atë se çfarë bëri. Largoi thuajse të gjithë lojtarët e rinj që u huazuan në ekipe të tjera. Largoi edhe Gocajn, Sykjen dhe Hasanin, ndonëse ata ishin nën kontratë me Vllazninë, madje I pari kishte 2.5 vjet kontratë por u la I lirë se nuk e donte trajneri. Një lëvizje e çuditshme megjithatë ky ishte realiteti. Në vend të tyre u blenë futbollistë, shumica  e të cilëve rezultuan të dështuar. Shpëtim Duro në këtë mënyrë ka jo pak përgjegjësi për një situatë të tillë të krijuar.

Ai është njeriu që ka vendosur për gjithçka ka ndodhur në merkaton e Vllaznisë. Sot ndërkohë, trajneri ende në detyrë I kuqebluve thotë se “lojtarët e ardhur në skuadër kanë qenë zgjedhje dytësore sepse të parat nuk u bënë realitet për shumat e mëdha që kërkonin”. Paksa e habitshme kjo deklaratë sepse ai I ka ditur limitet financiare të klubit dhe në fakt nuk janë shifra të vogla ato që janë paguar për futbollistët sepse 7-8 prej tyre kanë marrë nga 30 mijë euro e më tepër. Mbase ka qenë edhe keqmenaxhim sepse rezultatet në kupë dhe kampionat e treguan këtë më së miri. Trajneri Duro duhet të marrë përgjegjësi për këtë.

Krahasimi. Në ndeshjen e fundit miqësore, atë të luajtur mesditën e së shtunës ndaj Burrelit, në fushë kanë qenë të gjithë futbollistë shkodranë, mes të cilëve edhe disa të rinj. Por Shpëtim Duro edhe njëherë tjetër ka shprehur pakënaqësinë për atë se çfarë ata kanë treguar në fushën e lojës. Për këtë, ai është shprehur: “Futbollistët e rinj kanë shumë probleme dhe shumë për të bërë për të merituar fanellën e Vllaznisë. Nuk janë të gatshëm të luajnë.  Nuk kanë nivelin e Vajushit, Balës të Sukajt, të cilët që në moshën 18 vjeccare kanë mbajtur peshën e Vllaznisë.  Këta janë shumë, shumë larg nivelit të atyre futbolllistëve që përmenda më lart”. Krahasimi mund të jetë I gjetur. Vajush, Balë e Sukaj për momentin nuk ka më porn ë fakt edhe Duro ka bërë shumë pak për t’I promovuar lojtarët e rinj. Një çështje që ka marrë shumë kohë për diskutime në Shkodër gjatë kësaj periudhe dhe asnjëherë nuk ka gjetur zgjidhjen e duhur.

E ardhmja. Disa prej lojtarëve të rinj që janë huazuar në fillim të sezonit në skuadra të tjera, kanë dëshirë të rikthehen sërish tek Vllaznia. Pikërisht tashmë që trajneri Duro është thuajse I ikur. Të paktën tre futbollistë kanë biseduar me drejtuesit e klubit dhe kanë kërkuar këtë gjë, të kthehen në skuadër që në janar. Bëhet fjalë për Abaz Karakaçin që në fazën e parë luajti me Partizanin dhe për Bekim Erkoçeviç e Gojart Rusi që kanë luajtur me Adën. Megjithatë, para se të vendoset përfundimisht për to, duhet pritur se kush do jetë trajneri I ri dhe cilat do jenë planet që ai do ketë. Për t’I promovuar futbollistët e rinj apo për t’u mbështetur sërish tek blerjet jashtë Shkodre. Kjo duhet parë megjithatë disa prej të rinjve që janë në skuadër duan më shumë hapësirë. Vërtetë mund të mos ketë aktualisht në skuadër lojtarë me vlera të Vajushit, Balës apo Sukajt por lojtarë të mirë dhe që mund t’I shërbejnë Vllaznisë ka sërish.

Gjergj KOLA