Siç dihet tashmë, Koronavirusi bëri që të anulohen evente të ndryshme sportive në mbarë botën, ndër to edhe Kampionati Botëror i Atletikës, si dhe të Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilat u shtynë për verën e ardhshme.

Këto spostime garash ia prishën disi planet Izmir Smajlajt, që po kalonte një formë mjaft të mirë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kampioni kuqezi i kërcimit për së gjati tregon ditët e tij në karantinë, rrëfen stërvitjen që po bën në Qafshtamë, si dhe tregon gjithashtu vështirësitë dhe objektivat.

Periudha e karantinës Izmir Smajlaj e fillon rrëfimin duke na treguar për ditët e tij në karantinë: “Këtë periudhë po e kaloj në Parkun Kombëtar të Qafshtamës, ku ndodhem i izoluar prej rreth katër javësh bashkë me familjen time. Këtu jam krejtësisht i izoluar dhe nuk kam kontakt me askënd. Po përpiqem që të ruaj formën time sportive dhe Qafshtamën e frekuentoj prej dy vitesh, ku realizoja disa vrapime malore, por kaq gjatë nuk kisha qëndruar asnjëherë”.

Stërvitja-Atleti shkodran tregon edhe përgatitjet në Qafshtamë dhe vështirësitë që ka për të ruajtur formën: “Po vijoj të stërvitem në malore, në zbritje si dhe bëj vrapim me pengesa, por kjo nuk është një përgatitje e plotë, pasi më duhet gropa e kërcimit për së gjati, ku duhet të bëj sa më shumë prova për ta perfeksionuar vrullin. Gara ime është shumë e veçantë, pasi nuk është një disiplinë ku nevojitet vetëm një sallë force apo vetëm vrapim. Megjithatë unë po bëj maksimumin tim për të ruajtur formën sportive, ndonëse është shumë e vështirë”.

Objektivat – Viti startoi mjaft mirë për atletin kuqezi, që shkëlqeu në disa evente radhazi duke fituar medalje të arta, por pandemia me virusin Covid-19 u bë një pengesë e madhe për 27-vjeçarin: “Më vjen vërtetë keq, sepse isha në formën time më të mirë sportive dhe e kisha nis vitin më mirë se çdo herë tjetër. Kam qenë shumë i bindur në kapjen e normës olimpike, pasi që në muajin janar rezultatet e mia të kërcimit ishin thuajse 8 metra. Tani në fuqi ka mbetur vetëm Kampionati Europian, ku pavarësisht se po kalojmë një periudhë të vështirë, synimi im është që ta ruaj formën sportive dhe të futem në zonën e medaljeve në Paris”.

Mbështetja – Mbështetja e shtetit në drejtim të sportistëve elitarë vazhdon të jetë inegzistente, duke ia shtuar edhe më shumë vështirësitë atletit Smajlaj në këtë periudhë. Megjithatë Smajlaj tregon se KOKSH dhe Federata e Atletikës i kanë qëndruar gjithmonë pranë: “Kam pasur mbështetjen e vazhdueshme të Komitetit Olimpik dhe Federatës së Atletikës, të cilët dua ti falenderoj shumë”, përfundon prononcimin e tij rekordmeni i kërcimit për së gjati.