Gjithnjë e më shumë po shtohen dilemat, nëse drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, do t’u bashkohet largimeve në ditët e ardhshme të shkodranëve apo do të vijojë punën edhe për këtë sezon me skuadrën.

Në klub, ende nuk kanë njoftuar asnjë largim në staf dhe për aq kohë sa nuk ka një konfirmim, Djarmati vazhdon të jetë ende pjesë e shkodranëve.

Në fakt, atij zyrtarisht i ka përfunduar kontrata ditën e djeshme, teksa tashmë do të jetë presidenti Alban Xhaferi që do ta vendosë një gjë të tillë, për t’ia rinovuar kontratën apo jo, e cila akoma nuk dihet.

Megjithatë, e ardhmja e kroatit mbetet për t’u qartësuar në vazhdim, i cili vazhdon të ketë një raport të mirë me drejtuesit në Shkodër, teksa mbetet për t’u parë e ardhmja e tij në këtë klub.

Çdo gjë edhe për të ardhmen e Djarmatit do të vendoset shumë shpejt sepse Vllaznia nuk ka kohë për të humbur. Ajo do të jetë në fushë më 10 qershor për të nisur përgatitjet për Kupat e Europës.
Maringlen ZHIVANI