Vincent Aboubakar rikthehet te Besiktas, për të veshur për herë të tretë fanellën e klubit të njohur të Stambollit. Kamerunasi 30-vjeçar i dha fund aventurës së tij në Arabinë Saudite, pasi Al Nassr vendosi t’i prishë kontratën për të liruar vend për yllin portugez Cristiano Ronaldo.
Klubi saudit kishte plotësuar numrin e futbollistëve të huaj të lejuar dhe për të regjistruar Ronaldon, u desh të largonte pikërisht kamerunasin Aboubakar, që gjeti menjëherë skuadër, pasi u kthye te Besiktas, ku firmosi deri në 2025-ën.
Kjo do të jetë aventura e tretë e sulmuesit 30-vjeçar me Besiktas, pas të parës në sezonin 2016-2017, ku shënoi 12 gola në 27 ndeshje dhe të dytës në sezonin 2020-2021, ku shënoi 15 gola në 26 ndeshje.
Me kontratën e firmosur me Besiktas, Aboubakar do të përfitojë rreth 6 milionë euro në total deri në verën e 2025-ës, përfshirë rrogën dhe bonusin e firmës si futbollist i lirë.