Vllaznia po përjeton një sezon ëndrrash, nga ato që kishin kohë që nuk i përjetonin në Shkodër. Ecuria mbresëlënëse nën drejtimin e Thomas Brdariç i ka kthyer kuqeblutë në pretendentë kryesorë për titullin kampion, një situatë të cilin në Shkodër duan që të mos jetë rastësia e një edicioni të vetëm por një siguri edhe për vitet e ardhshme.
Ndaj në klub po mendojnë që të ndërtojnë një plan afatagjatë jo vetëm me grupin aktual të futbollistëve, por edhe me stafin teknik i cili ka tejkaluar çdo pritshmëri me punën që ka bërë.
Krahu i djathte i sponsorit Xhaferi, Blendi Dibra, ka treguar për RTSH se që tani kanë nisur negociatat jo vetëm për të garantuar vazhdimësinë e grupit ekzistues të lojtarëve, por edhe trajnerit Brdariç dhe stafit të tij.
“Presim të kryejnë rinvimin e trajnerit, duke vazhduar me rinovimet e lojtarëve, duke shkuar më larg, në sezonin tjetër, që të kemi skicim të formacionit e grupit për sezonin e ardhhëm” deklaroi ai.
Sigurisht, Vllaznia do të jetë shumë e kujdesshme edhe që të shohë aspektin financiar, duke konfirmuar se lojtarët e saj do të jenë në shitje për të siguruar të ardhura të cilat do të përdoren për vazhdimësinë e për t’u përforcuar me emra të tjerë, siç ndodhi me Ismael Dunga i cili u transferua në Japoni.